AKR përshëndetë veprimet e Qeverisë në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës

29.07.2011

Akr

Ministrat e AKR-së dhe të Koalicionit për Kosovë të re, po tregohen aktivë në realizimin e programit të Koalicionit dhe të qeverisë drejtuar nga Kryeministri Thaçi.

Aleanca për Kosovë të Re përshëndet veprimet e vendosura të qeverisë Thaçi për të vendosur sovranitetin e shtetit tonë në të gjithë territorin. Aleanca për Kosovë të re përshëndet veprimet e matura të autoriteteve policore, duke u përkulur me nderim para sakrificës së heroit më të ri të Kosovës Enver Zymberi. Ne i jemi mirënjohës dhe Aleancës më të madhe ushtarake perëndimore, NATO-s, e cila nëpërmjet KFOR i ka dhënë mbështetjen maksimale të veprimeve të qeverisë së Kosovës duke afirmuar sovranitetin tonë në kufijtë veriorë.

Në këto ngjarje ne dëshirojmë të potencojmë kontributin e figurave më të rëndësishme që AKR-ja i ka dhënë qeverisë dhe institucioneve të Kosovës që kanë rolin e tyre në këto ngjarje.

Ka qenë këmbëngulja e zonjës Mimoza Kusari Lila, e cila në pozitën e zëvendëskryeministres dhe ministres për tregti e çoi deri në fund vendimin për respektimin e masave të reciprocitetit në shkëmbimet tregtare me Serbinë.

Ka qenë zoti Behgjet Pacolli, President i Koalicionit Kosova e re,  i cili në cilësinë e Presidentit të Kosovës e vizitoi dy herë veriun e vendit me thirrjen “ të kthejmë sytë nga veriu”. Qasja e tij për zhvillimin e asaj pjese të Kosovës nëpërmjet krijimit atje të dy zonave të lira ekonomike është inkurajuese për të ardhmen e mbarë popullit të Kosovës.

Duke i paraprirë zhvillimeve të  sotme dhe të ardhshme të kombit tonë, zoti Behgjet Pacolli ka iniciuar Lëvizjen për hapësirë mbarëkombëtare zhvillimi, e shpallur në një Konferencë të fundit në Tiranë me pjesëmarrjen e intelektualëve eminentë nga të gjithë viset shqiptare. Një nga sugjerimet që Konferenca e udhëhequr nga zoti Pacolli i bëri operatorëve ekonomikë të Kosovës është të riorientojnë shkëmbimet tregtare kah Shqipëria dhe nëpërmjet saj, drejt Perëndimit.

Edhe ministrat e tjerë të Koalicionit, në përpjekje për të jetësuar programin tonë, të përfshirë në programin qeverisës të kabinetit të drejtuar nga zoti Thaçi kanë treguar veten e tyre. Ministri i shëndetësisë zoti Ferid Agani ka iniciuar reformën në sektorin e sigurimeve shëndetësore, reformë që do ta modernizojë sistemin tonë shëndetësor. Ministri i Mbrojtjes, zoti Agim Çeku gjithashtu ka ndërrmarrë veprime të rëndësishme në dikasterin e tij.