Kiribati dërgon notën verbale të njohjes

23.10.2010

Kiribati

Ashtu siç premtoi dje Presidenti i AKR-së, z. Behgjet Pacolli në konferencë për media, lidhur me njohjen nga Republika e Kiribatit, nota verbale e njohjes për shtetin e pavarur të Kosovës ka arritur sot në zyrat e AKR-së.
Kjo njohje vjen pas një punë intensive të z. Behgjet Pacolli dhe grupit të tij të bashkëpunëtorëve, në këtë vend.
Presidenti i AKR-së, z. Behgjet Pacolli, është takuar më herët me krerët e shtetit të Kribatit, me Presidentin dhe Kryeministrin e këtij vendi, ku edhe kishte marrë premtimin për njohje.
Nota verbale e njohjes ka arritur sot në zyrat e AKR-së dhe është përcjellë menjëherë tek Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Për arsye të dorëheqjes së ministrit të Punëve të Jashtme, kjo njohje është dërguar në adresën e zv/ministres së Jashtme, gjegjësisht në zyrat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Me 21.09.2010, në New York, z Behgjet Pacolli, ishte takuar me Kryeministrin e Kiribatit, nga i cili kishte marrë premtimin për njohje të shpejtë të shtetit të pavarur të Kosovës.
Kjo njohje vjen në momente të rendësishme për Kosovën, në një kohë kur Ministria e Punëve të Jashtme funksionon vetëm me zëvendësministër dhe vendi është në një krizë të thellë institucionale.
Njohja nga Kiribati, dëshmon edhe njëherë se lobimi i Presidentit të AKR-së, po vazhdon me rezultate të reja të cilat janë të domosdoshme për shtetin e pavarur të Kosovës.
Kiribati është një ishull i vogël me sipërfaqe prej 811 kilometra katrorë i cili gjendet në qendër të Oqeanit Pacifik.