Ministri i Jashtëm i Maldiveve viziton AKR-në

05.11.2010

Maldive

Në konferencën e tij për shtyp, sëbashku me ministrin e jashtëm të Maldiveve z.Ahmed Shahid (Shaheed), presidenti i AKR-së, z. Behgjet Pacolli, bëri një paraqitje të kontributit të z.Shahid në favor të Kosovës dhe bëri një bilanc të vizitës së tyre të përbashkët në Shqipëri.

Z.Pacolli tha se ministri i jashtëm i Maldiveve, Shahid, është një mik i madh i Kosovës i cili ka meritën kryesore të njohjes së Kosovës prej shtetit të vet, në një vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por që prej asaj kohe, tha z.Pacolli, ministri Shahid ka vënë në dispozicion të Kosovës gjithë potencialin e vet njerëzor dhe diplomatik. Ai ka meritën në realizimin e 100 kontakteve të mia me mbretër, presidentë dhe kryeministra. Vetëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila zhvilloi punimet në shtator, me ndihmën e z. Shahid, ne realizuam 43 takime të nivelit të lartë.

Z.Shahid u dekorua për këtë kontribut nga Presidenti i Shqipërisë me Medaljen e mirënjohjes, dhe pati atje takime të denja për një kryetar shteti. Ai se bashku me mua u takuan me Presidentin, kryeministrin, zëvendëskryeministrin, ministrin e jashtëm të Shqipërisë etj.  Ai u nderua bashkë me mua nga bashkia e Lezhës në Shqipëri, me titullin "Qytetar Nderi", tha Presidenti i AKR-së.  Ai pati takime dhe me zyrtarët më të lartë të Kosovës, dhe me ambasadorët e vendeve më të rëndësishme perëndimorë në Kosovë. Këto takime janë dëshmi e mirënjohjes së këtyre diplomatëve për kontributin e zotit Shahid në njohjet e Kosovës.  Kush nderon mikun tim, më ka nderuar dhe mua,  potencoi z.Pacolli.  Ai, tha z. Pacolli, është një personalitet i shquar akademik i vendit të vet dhe pjesë e një grupi të madh lobues me të cilin unë bashkëpunoj, ku bëjnë pjesë akademikë, njerëz të medias, të sportit, të biznesit në të gjithë anët e botës.

Z. Shahid, nga ana e tij vlerësoi mikpritjen  e rezervuar nga ana e autoriteteve qoftë në Shqipëri dhe në Kosovë. Ai tha se ndihej veçanërisht i nderuar nga vlerësimi akademik "Honoris Causa", prej Universitetit AAB- Riinvest.  Ai tha se kishte harxhuar shumë kohë në takime me zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe diplomatë perëndimorë për të punuar dhe në të ardhmen për njohje të reja.

Z.Shahid vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndësishme vizitën e z.Pacolli në Libi, një vend me ndikim të madh në gjithë Afrikën dhe botën arabe. Ai konsideroi si mjaft të gjetur lobimin nëpërmjet një delegacioni të rinjsh e të rejash, duke thënë se Presidenti libian i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ishte ai që ndaloi nxjerrjen e delegacionit kosovar të nivelit të lartë nga salla e OKB-së. Z.Shahid tha se pavarësisht paragjykimeve që mund të ekzistojnë për formën e regjimit në Libi, Libia është njeri nga shtetet më të rëndësishëm ku duhet punuar për njohje dhe z. Pacolli ka kohë që është angazhuar në këtë drejtim. Edhe unë, tha z.Shahid, kam folur për këtë çështje, gjatë vizitës sime në Libi dhe do të vazhdoj të punoj edhe në të ardhmen, në çdo shtet ku mund të kemi sukses.