Editoriale

 

Rugova, babai themelues i shtetësisë së Kosovës

 

 Nga Behgjet Pacolli

 

Në këtë 5 vjetor të ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës, presidentit tonë historik, do doja dhe unë të bëja me dije disa gjykime të miat për të. Disa janë sintezë e gjykimeve të mëhershme. Disa janë pjesë nga libri im më i fundit autobigrafik “nga Sfida në Sfidë, jeta, Behgjet Pacolli”.

Ibrahim Rugova bën pjesë në atë galeri personalitetesh të historisë moderne të njerëzimit, që mund të quhen pa frikë “baballarët themelues të një shteti”. Ky karakterizim është nisur më së pari të përdoret për politikanët themelues të Amerikës, për 55 nënshkruesit e parë të Kushtetutës Amerikane. Më pas, ai është përdorur për themeluesit e Bashkimit Europian, Zhan Mone, apo Konrad Adenauer. Këtë rëndësi e ka Ibrahim Rugova për historinë tonë të re,si Kosovë, por dhe si komb shqiptar.

Së dyti, doja të thoja se kontributi i tij më i madh, ishte shndërrimi në njëlloj sjellje politike karakteristike, i urtësisë sonë popullore. Ky popull, megjithëse i vogël ka patur brenda farën e përçarjeve të mëdha, që lanë regjimet pushtuese, të cilat zgjatën shumë, por ai ka ditur gjithmonë të ruajë një unitet të admirueshëm. Rugova ishte bartësi më i ndritshëm i kësaj fryme uniteti. Ai është realizator i pajtimit të madh në shoqërinë kosovare të pasluftës, diçka të cilën ne e ndjejmë dhe jemi përftues dhe sot. Fryma e pajtimit që ekziston sot në shoqërinë tonë është produkt i vizionit të tij, i urtësisë së popullit tonë, mishëruar në filozofinë e tij politike.

Së treti, Rugova ishte një njeri me idetë të qarta për të ardhmen. Kam qenë në makinë nëpër rrugët e Evropës në fillim të viteve 90, dhe dëgjoja idetë e tij për të ardhmen e Kosovës të shprehura në një nga ato konferencat e përjavshme të shtypit: Kosova shtet i pavarur dhe sovran, i hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, aleat i Shteteve të Bashkuara dhe Komunitetit Europian, etj. Rugova jo vetëm i shihte si ëndrra, por dhe punoi për t’i jetësuar këto aspirata kombëtare, megjithëse pati fatin e keq të vdiste pa e parë Kosovën të pavarur.

Së katërti, Rugova ishte një njeri që kishte ide origjinale për zhvillimin ekonomik të kësaj Kosove, mbështetur tek prodhimet origjinale të tokës sonë. Për mua që i jam kushtuar një kohë bukur të gjatë biznesit, këto ide ishin me të vërtetë të mrekullueshme dhe janë realiste në të gjitha kohrat.

Pas këtyre gjykimeve të përmbledhura mbi figurën e Rugovës, po them diçka më detale, rreth këtij gjigandi të kohës sonë, për të cilin neve nesër do të mburremi se ishim bashkëkohësit e tij.

 

Njohja me Rugovën

Nga të gjithë politikanët e Kosovës, me Rugovën e kam pasur njohjen më të hershme. Me të kam pasur rast të takohem disa herë në Lugano, diku në fillim të viteve nëntëdhjetë. E mbaj mend se me Rugovën, atëbotë, kemi kaluar disa ditë të bukura së bashkë me disa aktivistë të LDK-së të degës në Zvicër. Kemi biseduar për shumëçka por kryesisht për agjendën e udhëtimeve dhe takimeve të tij në vende të ndryshme. Natyrisht, zhvillimet në Kosovë kanë qenë temë e pakalueshme e bisedës. Shtetbërja e Kosovës ka qenë preokupimi i  Rugovës, sepse ishte koha pas Deklaratës për Republikën e Kosovës. E kam takuar edhe në vitin 1994, këtu në Kosovë, në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve. E kam takuar edhe në vitin 1997, përsëri në Lidhjen e Shkrimtarëve, pas një aksioni që ndërmorën bashkëpunëtorët e tij për të mbledhur donacione për shtëpinë e tij. Këtij aksioni iu kam bashkëngjitur edhe unë, bile fuqishëm... Unë e di se projekti që i ofrova Rugovës për rezidencë ka qenë shumë i bukur dhe i përshtatshëm në të gjithë parametrat. Ishte dëshirë e flaktë imja, që ta përkryeja projektin dhe atë ndërtesë ta ndërtoja me një donacion timin dhe ta shihja si banorin e parë të saj, Presidentin Rugova të ndjerë, që ishte munduar shumë për këtë që ne gëzojmë sot në Kosovë. Edhe përkundër kostos së madhe që kishte ndërtimi i saj, unë për Presidentin Rugova do ta bëja. Këtë projekt e kam futur në librat e mia, që së paku aty të kem një kujtim të merituar, pasi dëshira ime ishte shumë e madhe për të realizuar këtë projekt. Ky është një nga projektet për të cilin marr lëvdata gjithandej kur e shohin në letër.

Por njohjen më të mirë dhe takimet më intensive me Rugovën i kam pasur pas luftës. E kam takuar në vjeshtën e vitit 1999, pas kthimit nga Italia. Atëbotë, Rugova kalonte një periudhë të rëndë, sepse kishte vështirësi në marrëdhëniet me Hashim Thaçin dhe nuk

njihej botërisht si President dhe as ishte konfirmuar si President nga autoritetet e qeverisjes së përkohshme. Shihej qartë se ishte shumë i lënduar, gjë që nuk e meritonte ai njeri që edhe nëse mund të kishte gabuar diku, kishte punuar, investuar dhe sakrifikuar shumë për pavarësinë. Edhe në vitet vijuese e kam takuar herë pas here. E mbaj mend se në njërin nga ato takime është shprehur shumë i brengosur për vrasjet politike që po ndodhnin në Kosovë, veçmas të disa bashkëpunëtorëve të tij. Këto takime të miat me Rugovën lidheshin kryesisht me një dëshirë timen shumë të madhe: që të kthehesha në Kosovë.

 

Politika e Rugovës 

Ibrahim Rugova shenjoi fazën apo ciklin historik që koha do ta identifikojë me emrin e tij. Faza e Rugovës. Ai e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës me një stil të veçantë, ku detajet simbolike dhe pistat për t’u ndjekur ishin të përzgjedhura plot përkujdes prej këtij intelektuali që kishte si profesion të parmë kritikën letrare dhe teorinë e filozofisë. Shalli rreth qafës, modestia e shpallur, gurët - të rëndë, por dhe dëshmi e asaj për çka luftohej realisht në Kosovë, thjeshtësia në të folur, argumentat e kursyera, por efektive, paralelet e tij me figura të tjera botërore të lëvizjeve kombëtare apo të rezistencës, si Gandi, privilegjimi i kontakteve me botën katolike, ishin që të gjitha elemente të llogaritura mirë në filozofinë e tij politike. Edhe sot politikanët e mëdhenj botërorë që kanë folur me të, i mbajnë mend simbolet e Rugovës.

Unë e vlerësoja shumë Rugovën jo thjesht në ndikimin e prindërve të mi, të lidhur politikisht me të. Unë që vija nga biznesi, e çmoja shumë qartësinë e ideve politike, e ideve ekonomike, e ideve për bujqësinë, që artikulonte ai dhe grupi i intelektualëve afër tij, ku sigurisht dua të shquaj Fehmi Aganin, një lloj truri politik i LDK-së, autorin e shumë dokumenteve politike të kësaj partie nënë të disa partive. Vlerësoja shumë sesi Ibrahim Rugova, ai intelektual i sofistikuar operonte me shprehje të thjeshta kur vinte koha për t’iu drejtuar popullit. Ai ishte një dikush që nuk shau kurrë asnjeri, por që i luftonte kundërshtarët dhe rivalët e tij me anë të heshtjes, d.m.th injorimit publik. Askush nuk mund të gjente në shprehjet e tij publike diçka të keqe për kundërshtarët, kritikët apo drejtuesit e alternativave të ndryshme politike në raport me të tijën. Për mua që jetoja në Perëndim ishte motiv krenarie të kisha si pikë referimi për vendin tim, një personalitet të tillë të gjithëpranuar në shtetet europiane dhe SHBA për filozofinë e tij të veprimit politik, që ishte unikale për viset tona ballkanike. Për mua që vija nga biznesi, që kisha reflektime të thella për modelin e zhvillimit të Kosovës, do të ishte ideale të punoja me një njeri si ai. E kam vlerësuar gjithnjë Presidentin Rugova veçanërisht për mesazhet e tij të thjeshta për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve, traditës së prodhimeve tona dhe si një lloj amaneti prej tij, dua të punoj vazhdimisht për këto sektorë, ku është mbështetur mbijetesa jonë kombëtare në shekuj e mijëvjeçarë.

Ishte pikërisht ky afinitet ideor dhe programor, që tërhoqi dhe tërheq dhe sot votuesit tipikë të LDK-së, në partinë tonë AKR.

Më kujtohet biseda me të kur u inaugurua një projekt urbanistik në një zonë ku mendohej se gjendeshin themele të Ulpianës antike, diku gjatë rrugës Prishtinë-Shkup. U gëzua shumë dhe shihte me sy të mendjes sesi nëpërmjet jetësimit të atij projekti, vendbanimet shqiptare fitonin vazhdimësi në atë zonë.

Pas vdekjes së të ndjerit President Rugova, respekti mbetet te familja e tij, te zonja Rugova, te vajza dhe djemtë e tij. Kohët e fundit, isha edhe në një vizitë familjare dhe prej tyre u prita në mënyrën më fisnike. Mbeta shumë i nderuar. Zoti e bekoftë këtë familje. Jam takuar shpesh dhe me fëmijët, Ukën veçanërisht, të cilit i uroj suksese të mëdha në politikë..

 

Krijesa politike e Rugovës, LDK-ja

Lidhja Demokratike e Kosovës ishte subjekti i parë më i rëndësishëm i pluralizmit shqiptar në vendin tonë, i cili përfshiu në radhët e veta disa nga intelektualët dhe akademikët më të rëndësishëm të jetës sonë publike si Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Zekeria Cana, Anton Çeta, Zenun Çelaj, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Ali Aliu, Ramiz Kelmendi, Nekibe Kelmendi, e shumë të tjerë që për arsye vendi s’po ua përmendi emrat. LDK, e drejtuar nga stili i qetë i Presidentit Rugova, me kahje ndërtimin e një sistemi paralel me atë diktatorial të Serbisë, e formësuar nga dituria dhe aktiviteti i pabujë, por thelbësor i Fehmi Aganit dhe i shumë të tjerëve, ishte pa dyshim dëshmi e aftësive të shqiptarëve për shtetformim. Për të arritur tek shtetformimi, por dhe për ta ndërtuar atë siç u tregua më vonë. Ndaj mendoj se për startin e këtij tranzicioni të Kosovës prej 1989-s, nga Jugosllavia e Milosheviqit në një shtet të ri tonin, do të duhet t’i bëjmë në krye të herës homazh Ibrahim Rugovës. Ai ishte bartësi i parë institucional i idesë së shtetësisë së Kosovës që zu fill me lëvizjet e 1968-s, demonstratat e 1981-shit, dhe te fryma e lirisë që gjendej kudo në zemrat e kosovarëve brenda dhe jashtë Kosovës. Ngritja dhe frymëzimi prej tij i një sistemi paralel shoqëror apo parashtetëror brenda diktaturës serbe ishin prova e parë e aftësive shtetformuese të shqiptarëve.

Në këtë që po them ka pak personalizim dhe nderim për një njeri që tashmë nuk rron. Rugova nuk ishte vetëm. Ai kishte afër tij personalitete të mëdha që e ndihmuan, e korrigjuan, e këshilluan, por përgjegjësia e njeriut që është i pari në rrethanat e shtypjes dhe të apartheidit që pllakosi Kosovën, duhet të vlerësohet me notë të lartë. Fara e ideve të tij, e mësimeve të tij, të grupit afër tij, që ishin të gjithë intelektualë që kapërcenin me përmasat e tyre Kosovën, u përhap në të gjithë shoqërinë tonë, te të gjitha partitë e reja që u krijuan. Aq e vërtetë është kjo, sa shumë mëtojnë për to, por askush s‘mund të pretendojë në mënyrë vetjake meritat, pronësinë e këtyre ideve dhe mësimeve. Ata druaj se e kanë gabim - rugovizmi u shndërrua edhe pa lejen e bartësit të tij, në frymë: fryma është diçka e pakapshme. Ajo nuk shihet, nuk preket, por bartet në mënyrë mistike. Ndoshta s’e shpjegoj mirë, por besoj se po them diçka të vërtetë, diçka që e ndiej, ani pse paksa të idealizuar. Jemi një shoqëri që ka nevojë për simbole dhe Rugova megjithë gabimet e veta, është një simbol që na duhet. Unë nuk po pretendoj të shkruaj një libër shkencor, unë po përcjell veç fakteve historike, dhe mendimet e mia, dhe dijenitë e mia, dhe emocionet e mia, ku ndoshta gaboj. Emocionet nuk janë baraz me të vërtetën, por janë njerëzore.

 

 

---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

 

Disa ide për zgjedhjet

Nga Behgjet Pacolli

Në një opinion të mëhershëm, unë shpreha disa propozime për punën e mëtutjeshme të institucioneve zgjedhore pas votimeve të 12 dhjetorit. Ato lidheshin me transparencën dhe mbikqyrjen e rinumërimit, trajtimin e ankesave nga PZAP, masat ndëshkimore ndaj komisionerëve, si dhe disa propozime për të ardhmen. Unë vlerësoja ndërhyrjen e ambasadorit amerikan Christofer Dell me kritikat që i bëri procesit në disa zona,  ndërhyrje e cila ishte vendimtare për të shpëtuar procesin zgjedhor nga kompromentimi i plotë. Njëjtë vlerësoj dhe sot ndërhyrjen e kreut të Përfaqësisë ndërkombëtare në Kosovës, Piter Feith, të shefes së misionit të vëzhguesve Lunacek, të cilët vunë theksin në rëndësinë e procesit për imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

Sot disa ditë para rivotimit në Mitrovicë pas vendimit të Gjykatës Supreme, pas rivotimit në Drenicë, do doja të thoja disa përfundime të tjera.

Faktori ndërkombëtar

Së pari, unë e vlerësoj shumë ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar se Kosovës në këtë situatë, me këto sfida që i ka, i duhet qeverisje me duar të pastra, dhe jo një zinxhir zgjedhjesh të kontestuara apo të lënduara në integritetin e tyre. Ne të gjithë pamë se ky është një qëndrim i unifikuar, qoftë i SHBA-ve, aleatit tonë strategjik, qoftë i Bashkimit Europian, shprehur nga përfaqësuesit e tyre më të lartë, ambasadorëve Dell dhe Feith. Të gjithë do donim të merrnim rezultate më të mira për forcat tona politike nga përsëritja e zgjedhjeve, por kush na garanton se nëse zgjedhjet do të bëheshin nesër, s’do të kishim të njëjtat probleme? Zgjidhja e problemeve kalon nga krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të Kosovës, dhe miratimi me konsensus të plotë i një kuadri zgjedhor të ri, nën dritën e sugjerimeve të miqve ndërkombëtarë, por dhe korrigjimi i parregullsive që ne provuam në kurrizin tonë.

Institucionet e procesit zgjedhor reaguan, megjithëse me vonesë

Së dyti, në pikëpamje të cilësisë së këtyre zgjedhjeve, unë do ftoja dhe kritikët më të fortë të procesit të zgjidhnim një qasje më tërësore analize mbi të gjitha hallkat e tij. Procesi nuk është vetëm dita e votimit. Procesi është dhe numërimi i votave, trajtimi i ankesave, rinumërimi, rivotimi, përpunimi i rezultatit, etj. Madje pjesë e procesit është dhe fushata elektorale, roli i mediave, etj. E di mirë se zgjedhjet patën probleme të mëdha ku më kryesoret, përveç vullnetit të partive për t’i udhëzuar militantët e vet të manipulojnë, gjenden tek regjistrimi i popullsisë që do të siguronte një regjistër zgjedhor të besueshëm. Më tej gjenden tek komisionerët partiakë, tek numërimi i votave në qendra votimi dhe jo në një qendër të vetme në Prishtinë, etj. Reforma zgjedhore  që mund të zgjidhte diçka,  u krye me shpejtësi dhe nuk u korrigjuan shumë të meta të votimeve të mëhershme. Por sot duhet me u marr pak me mënyrën e trajtimit të ankesave. Gjatë ditëve që pasuan 12 dhjetorin, KQZ dhe PZAP-i kanë marrë disa vendime historike: ka çuar për rivotim një numër të madh zonash ku diskutohen midis 20 deri në 30 % të votave; kanë dërguar për rinumërim 40 % të votave. PZAP-i i ka dërguar prokurorisë për ndjekje penale një numër të madh rastesh dhe organi i ndjekjes ka nisur hetimet, megjithëse duhet të reagonte më shpejt. KQZ ndërroi të gjithë komisionerët në zonat ku pati probleme. Problemet më të mëdha u panë tek Qendra e numërimit të votave me vonesën dhe mungesën e transparencës, që duhet të ishte e përditshme në punën e saj.

Duartrokitje për Gjykatën Supreme:ndërhyri tek manipulimet me identitetin e votuesve

Së treti, diçka për Gjykatën Supreme. Ndërhyrja e kësaj Gjykate ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi ndryshe nga vendimet e KQZ-së, apo PZAP-it, ajo ndëshkoi apo korrigjoi manipulimin në pjesën e parë të procesit. Pra atë pjesë të manipulimit, kur vota nuk kishte shkuar akoma në kuti. Kjo pjesë e procesit ishte e rëndësishme për fatin e zgjedhjeve, pse ajo përcaktonte në mënyrë të ndjeshme rezultatin. Gjykata ktheu vetëm Mitrovicën, por vendimi i saj në një farë mënyre vendos pikëpyetje mbi cilësinë e procesit dhe në zona të tjera, ku s’është ankuar Vetëvendosja. Si një politikan i votuar që aspiron një detyrë që lidhet me garancinë e pavarësisë së Gjyqësorit, e duartrokas këtë vendim dhe zotohem se do të punoj edhe më tej për të rritur këto garanci. Vendimi për të futur Gjykatën Supreme si institucion i shkallës së tretë të apelimit të procesit elektoral, njëjtë me procesin gjyqësor, rezultoi i dobishëm në shpëtimin sadopak të procesit.

Vlerësim për Vetëvendosjen- ajo dokumentoi shkeljet.

Së katërti, ne duhet të vlerësojmë këmbënguljen e Vetëvendosjes që e dërgoi çështjen nga PZAP-i, në Gjykatën Supreme duke e bindur Gjykatën në drejtësinë e pretendimeve të veta. Prej kësaj këmbëngulje, nuk fitoi vetëm Vetëvendosja, por fitoi dhe procesi zgjedhor, fitoi qytetari i Kosovës, fituam të gjithë ne. Vetëvendosja megjithëse parti e re, pati meritën se arriti të dokumentonte më mirë se të gjithë ne, partitë e tjera që duhet me u ndi fajtore pse nuk ditëm të bënim këtë njëjtë sikur Vetëvendosja. Sot një pjesë e mirë vendimeve për rivotim, rinumërim,  janë për shkak të pretendimeve të saj në institucionet zgjedhore. Kjo këmbëngulje, kjo qasje legjitimiste, e fut këtë parti në shinat e sistemit politik, pse ajo po pranon, rregullat e lojës së sistemit. Këmbëngulja për të metat në këtë fazë të procesit-  tek mungesa e instrumenteve identifikuese kur qytetari shkonte për të votuar, etj,- nuk ishte shërbim vetëm për Vetëvendosjen, por për të gjithë ne. Nga votimi i shumëfishtë kanë vuajtur pasoja të gjitha partitë.

Vonesa, problemi më i madh megjithë funksionalitetin e pjesshëm

Së pesti, përfundimi më i rëndësishëm që dua të nxjerr është se  Kosova po dëften që ka institucione deridiku funksionale. Gjykata Supreme veçanërisht e tregoi veten në lartësinë e detyrës së saj. Për institucionet e tjera të procesit zgjedhor, mund të them se shumë vepra të mira do mund të bënin, nëse komisionerët në të gjithë nivelet do të ishin jopartiakë. Ne kemi hyrë në një shtëpi të re ku nuk ka mbaruar akoma përkryerja e gjithçkaje dhe s’mund të presim që gjithçka të funksionojë. Pajisjet e kësaj shtëpie po testohen, ndërsa ato janë në ndërtim e sipër.

Dhe krejt për fund një vërejtje. Ka kaluar një kohë bukur e gjatë që nga dita e votimit dhe nuk kemi një rezultat prej këtyre institucioneve. Por këtu nuk është faji i tyre, sepse faji vërtet është i politikës. Nga njera anë shumë parti politike, ku shquhet ajo qeverisëse kanë krijuar aq shumë probleme, sa këto institucione  e kishin të vështirë të merrnin vendime të shpejta të mbytura në ankesa. Nga ana tjetër kur u bënë ndryshimet në Ligjin zgjedhor, do duhet që për punën e këtyre institucioneve të ishin vendosur afate në seicilën hallkë të ankimimit, dhe një numër më i madh njerëzish që të trajtonin ankesat. Kështu, në njerin nga vendet më të vogla të Evropës do të kishim rezultat përfundimtar shumë më shpejt. Dhe institucionet e reja ekzekutive me legjitimitet të plotë, krijuar mbi bazën e këtij rezultati s’do të prisnin kaq gjatë për t’u krijuar dhe  filluar punën e tyre.

 

 

--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

 

Tryeza mbarëkombëtare përtej Martit

dhe dëshmia e një mjeku serb kundër transplantit

 

Nga Behgjet Pacolli

 

Çështja e   raportit të Dik Martit kundër Kosovës, Shqipërisë, Perëndimit marrë së bashku, është një çështje e rëndësishme, për të cilën vërtet ja vlen me u marrë vazhdimisht. Nëpërmjet operacionit që kulmoi me këtë raport, synohet  veç të tjerash- pasi raporti ka disa qëllime politike-të vendoset në bankën e akuzës kombi shqiptar, jo vetëm në planin mediatik, por në një institucion europian si Këshilli i Europës. Ky qëllim duhet të demaskohet përfundimisht, dhe ky demaskim duhet te bëhet nga të gjithë ne së bashku, si komb, me të gjithë kapacitetet tona më të mira. Nga fitorja në këtë ndërmarrje ne do të dalim më të fortë në sfidat tona të reja në arenën globale.

 Me këtë qasje, si kontribues i mëhershëm i luftës ndaj Dik Martit, që kur ai u shfaq nëpër iniciativa antishqiptare, unë do të deshiroja të shpreh disa argumente të tjera. Kam edhe një arsye më shumë që po insistoj: para pak ditësh unë i shkrova kryeministrit të vendit amë, Prof. Dr. Sali Berishës, për të koordinuar pozicionet tona nëpërmjet një tryeze të krerëve të partive parlamentare të hapësirës mbarëkombëtare, kundër raportit dhe projektrezolutës që e legjitimon këtë raport. Jam duke pritur përgjigje prej tij, ndërsa opinioni publik në gjithë këtë hapësirë e ka vlerësuar shumë iniciativën time. Janë me qindra letrat që kam pranuar për këtë iniciativë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, diaspora, me mijëra mesazhet që më mbërrijnë në facebook, apo në email.

Së pari,duhet te theksoj se përballja jonë në Këshillin e Europës ku vetëm Shqipëria ka mundësi të përfaqësohet, po qëllon në një kohë të papërshtatshme për dy shtetet tona. Kosova pothuajse nuk ka vijimësi institucionale për shkak të zgjedhjeve të stërzgjatura dhe problemeve të këtyre zgjedhjeve. Shqipëria akoma nuk e ka zgjidhur kontestin midis qeverisë dhe opozitës për zgjedhjet e mëhershme dhe me dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Meta, pas akuzave të rënda në adresë të tij, situata  nuk duket më e mira. Kjo situate përngjan në një lloj mallkimi që bash në këtë kohë, institucionet në Shqipëri dhe në Kosovë nuk mund të përqëndrohen në ato që janë prioritetet e tyre, por duhet të mirren me kriza të brendshme.

Së dyti, duhet te them se e vlerësoj shumë udhëtimin e Presidentit në detyrë Jakup Krasniqi, në Shqipëri, menjëherë pas bërjes publike të iniciativës time. Nuk eshte me rëndësi kush e kryen një udhëtim. kryesorja është të arrihet qëllimi ynë strategjik në këtë moment. Lëvizja e zotit Krasniqi, takimet e tij me drejtuesit e institucioneve të Shqipërisë, me partitë atje, me deputete shqiptare të Republikës së Maqedonisë, etj, është një lëvizje në kahun e duhur, me atë që propozoja në letrën time kryeministrit Berisha. Por unë vazhdoj të insistoj që sipas një qasjeje tërësore ne duhet të shohim krahas këtij koordinimi ndërshqiptar, edhe produktin e këtij koordinimi. Pra çfarë dokumenti politik, çfarë qëndrimi politik do të zgjedhim ne brenda institucioneve europiane ndaj kësaj iniciative kundër kombit tonë? A do ta përdorim këtë rast, t’ i ngushtojmë ndasitë në mes nesh, t’i ofrojmë botës një pamje serioze, të bashkuar të politikanëve tanë, si në atë legjendën e famshme të Skënderbeut që i këshillonte mbështetësit e vet për të ndenjur bashkë, nëpërmjet metaforës së tufës së shkopinjve?

Këtu ja mbërritëm tek pika e tretë që doja të nënvizoja. Ne kemi reaguar në mënyrë emocionale, kaotike, kryesisht me mesazhe që vlejnë për konsum të brendshëm ndaj akuzave të Dik Martit. Mesazheve që vijnë prej udhëtimit të zotit Krasniqi në Shqipëri,apo dhe mesazheve të shqiptarëve për shqiptarët, unë do doja t’i shtoja disa të tjerë. Këto mesazhe shpesh kalojnë pa vëmendje, pse ne në përballjen me armikun tonë, nuk e studiojmë atë, nuk përpiqemi ta njohim atë. Në revistën Svedok, (Dëshmtari) të 11 janarit 2011, në edicionin    755-756, botohej një intervistë e dr. Goran Kronjës, shefit të departamentit të kirurgjisë vaskulare të spitalit ushtarak të Beogradit. Ky profesionist serb i cili prej një kohe të gjatë ka drejtuar transplantin e organeve në atë spital, i kundërvihet në mënyrën më të qartë akuzave të shtetit të vet, që sot po i artikulon në arenën europiane, Dik Marti. Ai thotë se “për një transplantim, do të duheshin 30 kg akull të sterilizuar. Është e pamundur të sigurosh një sasi të tillë në kushtet që flet raporti. Të gjesh një sasi të tillë është vështirësi e madhe dhe për një spital të avancuar siç është spitali ushtarak i Beogradit. Unë nuk besoj se diku në malet e Shqipërisë dhe Kosovës dikush mund të bëjë në mënyrë të suksesshme operacione të tilla, dhe kjo është gjëja e para që kam menduar kur lexova akuzat në librin e Karla Del Pontes. Mundësia teorike për transplantin kërkon një rrjet të gjerë njerëzish të përshtatshëm, pajisjesh, eksperience, dhe një organizate kriminale të lidhur me shtetin”. Intervista vazhdon dhe me argumenta të tjerë, që rrëzojnë akuzën e Dik Martit, sipas të cilave transplanti do mund të bëhej në Itali dhe Bullgari, dhe “është gjëja më idiote”, sipas tij, “ të mendosh se  ai mund të kryhej në të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë””. Më në fund ai thotë: “Si një mjek i specializuar, unë do të thoja se për të turpëruar dikë në Prishtinë, do duhej të gjendej ndonjë rrugë tjetër”.

Pra, në gjithë reagimet tona, në argumentet tona, nuk po shoh dëshmi të kësaj natyre, të një qartësie kaq të madhe. Do doja shumë që këto të merreshin prej përfaqësuesve tanë dhe t’i dërgoheshin Këshillit të Evropës, kancelarive europiane.

Dhe më së fundi, nga takimi që kam propozuar, do doja vërtet mos të merreshim shumë gjatë me Dik Martin. Do doja të që pasi të formulonim disa argumenta kundër shpikjeve të tij me origjinë nga Beogradi, pasi të kërkonim rrëzimin tërësor të projektrezolutës,t’i dërgonim një mesazh të fortë Bashkimit Europian. Ne jemi një komb i vetëm kudo që jetojmë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, etj! Nuk mund të pranojmë që dikush në vend se të na kërkojë falje, të tallet me ne, duke na akuzuar kaq rëndë në emër të krijimeve të Beogradit! Nuk mund të pranojmë që nëpërmjet këtyre manovrave politike, të mbetemi të fundit në rajon në liberalizimin e vizave, në integrimin tonë europian, dhe në atë global! Prej kësaj tryeze, vërtet nuk shoh asnjë të keqe për ne, por të tjerët rreth nesh, duhet të kuptojnë se s’mund të bllokojnë përparimin tonë si komb, duke u tallur nëpërmjet fabrikimeve që s’i pranojnë as mjekët, as intelektualët e tyre siç ishte rasti i Dr. Goran Kronjës.

 

-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

 

Përshëndetje për vendosjen e trupave amerikane në Veri

nga Behgjet Pacolli

 

Duke u marrë shumë me kalkulime zgjedhore, ndoshta kemi lënë pasdore ndonjë lajm të rëndësishëm. Nuk them se zgjedhjet janë të parëndësishme, për forcimin e mëtejshëm të shtetësisë sonë, të institucioneve të reja, por se nuk duhet të mos konsiderojmë zhvillime të tjera që janë drejtpërdrejt të rëndësishme për forcimin e kësaj shtetësie.

Vendosja e trupave të Gardës Kombëtare amerikane të New Mexico-s, si pjesë e KFOR-it amerikan në Veri të Kosovës, është me siguri një lajm i jashtëzakonshëm dhe i rëndësishëm për Kosovën. Këto trupa janë pjesë e njësive elitë të ushtrisë amerikane, element që tregon rëndësinë që i jepet Kosovës prej kësaj ushtrie. Ushtarë të kësaj Garde kanë shërbyer dhe shërbejnë në pika të rëndësishme të krizave botërore, si në Afganistan, Irak dhe Kubë, ashtu si dhe në Kosovë. Mesazhi tjetër që vjen prej këtij lajmi është se gardistët e këtij shteti amerikan, janë në rritje në Kosovë krahasuar me të kaluarën.

Ne e falënderojmë nga zemra miken tonë të madhe, sponsoren kryesore të pavarësisë dhe të shtetësisë së Kosovës. Si njeri që kam punuar shumë në Shtetet e Bashkuara në vitet 2003-2006, ky vendim është konfirmim i drejtësisë së vendimit tim të atëhershëm për të lobuar për shpalljen e pavarësisë duke nisur që nga SHBA-ja, kështjella më e rëndësishme e demokracisë botërore, por njëherazi dhe mikja më e madhe  e kombit shqiptar. Që nga koha e 14 pikave të Uillsonit, për vetëvendosjen e kombeve të vegjël, SHBA-të asnjëherë nuk janë pozicionuar kundër kombit shqiptar, madje kanë shërbyer për frenimin e orekseve të fuqive të tjera ndaj tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Ata kanë qenë vendimtarë në udhëheqjen e NATO-s në operacionin për çlirimin e Kosovës, por dhe në bindjen e fuqive të tjera jashtë NATO-s se ky operacion ishte i pashmangshëm. Më tej amerikanët me ndihmën e tyre të madhe si donatorët kryesorë për Kosovën, me asistencën institucionale për demokracinë tonë të brishtë, me praninë ushtarake të vendosur në Jug të Kosovës, kanë qenë garancia kryesore e ruajtjes së Kosovës si shtet i vërtetë. Meqë jemi tek zgjedhjet, qëndrimi i ambasadorit amerikan Christofer Dell ndaj manipulimit të zgjedhjeve në zonën e Drenicës ishte moment kyç që shpëtoi integritetin e zgjedhjeve në Kosovë nga shkatërrimi përfundimtar i tyre. Parë kështu, në vazhdimësi historike, ky vendim për dërgimin e trupave amerikane në Veri të Kosovës është dëshmi e përkushtimit të pandërprerë të SHBA-ve për forcimin e kësaj shtetësie, për ruajtjen e Kosovës brenda kufijve të saj ndërkombëtarë të pranuar nga të gjithë shtetet që e kanë njohur vendin tonë. Dhe ne na nevojitet ky përkushtim amerikan për forcimin e shtetësisë sonë apo ruajtjen e Kosovës brenda kufijve të saj ndërkombëtare, veçanërisht në rrethanat ndërkombëtare që po kalon Kosova.

Të vlerësosh mbështetjen amerikane, nuk do të thotë se ne nënvlerësojmë mbështetjen europiane.Ne e vlerësojmë shumë angazhimin francez të deritanishëm në atë zonë, për më shumë që Franca në vijimësi dhe me Presidentin Sarkozi, ka dëshmuar angazhim të madh në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por ne mendojmë se problemet e mëdha krijuara në Veri, të përkeqësuara gjithnjë e më shumë prej mungesës së autoritetit të shtetit të Kosovës në gjithë territorin, zgjidhen edhe më mirë me vendosjen e pranisë amerikane.

Kjo prani vendoset kur po flitet me të madhe për bisedimet e Kosovës me Serbinë dhe kur janë shtuar provokimet për përfshirjen e Veriut në këto bisedime dhe ndryshimin e statusit të tij juridik. Kjo vendosje e përforcon pozicionin e Kosovës në këto bisedime.

Kjo prani vendoset në kohën kur ministri i jashtëm serb ka bërë një kërcënim qesharak në lidhje me Veriun e Kosovës në një takim me diplomatët e vendit të tij. Vendosja e njësive të elitës së ushtrisë amerikane në Veri është vetëm një pjesë e përgjigjes për këtë zotëri që ka regjistruar shumë dështime në llogari të vet dhe të shtetit të vet në 2010, duke filluar me Mendimin Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë apo dhe me vazhdimin e procesit të njohjeve.

Ne e kemi bërë të qartë si Koalicion për Kosovë të re, se favorizojmë një zgjidhje afatgjatë që kalon nga krijimi në Veri të Kosovës të një zone të lirë ekonomike në interes të qytetarëve shqiptarë dhe serbë të Republikës së Kosovës. Kjo zonë do të përfshinte, do të shkrinte në një realitet të ri ekonomik dhe komuna të tjera të Kosovës.

Por ne jemi të bindur gjithashtu se krijimi i një mjedisi të sigurt është parakusht për një zonë të tillë ekonomike, për ardhjen e investitorëve të huaj. Ndaj duhet të duartrokasim me të madhe kontributin amerikan për krijimin e këtij mjedisi të sigurt jo vetëm në Veri, por në gjithë Kosovën. Ne jemi të bindur se KFOR-i, i udhëhequr nga amerikanët, nuk do të ikë nga Kosova, sepse Kosova do të hyjë në NATO.

 

 

-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Thirrje për një tryezë mbarëkombëtare!

Nga Behgjet Pacolli

Siç kam bërë me dije më gjerësisht kohët e fundit, unë jam përpjekur më herët me nxit një reagim të Kosovës ndaj zonjës Karla Del Ponte pas botimit të librit të saj. Të njëjtin paralajmërim e kam bërë dhe ndaj Dik Martit, kolegut të saj që gjatë kohës kur ai vizitoi Kosovën prej nga nuk pritej ndonjë gjë e mirë. E kam shpjeguar këtë dhe në librin tim autobiografik “Nga sfida në Sfidë”. I kam bërë thirrje asokohe zotëri Hashim Thaçit, dhe drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, por thirrja ime e mëhershme nuk u dëgjua.

Sot situata është pak më ndryshe. Nuk bëhet më fjalë për libra kundër Kosovës, që të mund të nënvleftësohen si atëherë. Kemi një raport monstruoz të këtij njeriu, që nuk e ka fshehur që më herët  simpatinë për Serbinë. Ky raport na akuzon se kemi kryer një krim të tmerrshëm për qytetërimin- trafik organesh me robërit e luftës. Ky raport doli në mediat kryesore të botës dhe na dëmtoi shumë në imazhin tonë kombëtar, të cilin e kemi përmirësuar me shumë mund. Nëse projektrezoluta që i paraprin raportit miratohet në Këshill të Europës, atëherë akuza do të mbajë të njollosur për një kohë të gjatë jo thjesht Hashim Thaçin, jo thjesht Kosovën, por edhe  Shqipërinë, gjithë kombin shqiptar. Madje pjesërisht dhe Perëndimin, aleatin tonë kryesor në këto fitore të mëdha të kohëve të fundit- pavarësinë e Kosovës dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO.

Ka një rrugë të vetme, me e heqë nga kurrizi akuzën e rëndë, që na e ka vendosë Serbia nëpërmjet emrit të parlamentarit zviceran, i cili harxhoi dy vjet e gjysëm paratë e taksapaguesve europianë për të ricikluar shpifjet e Beogradit, siç tha kryeministri Berisha. Në 24 janar 2011, Asambleja e Këshillit të Europës, duhet ta hedhë poshtë tërësisht projektrezolutën e Dik Martit, dhe kështu bashkë me të, raporti i tij i mbushur me shpifje çmendurake do të përfundojë në koshin e historisë.  Ky do të jetë një akt i vetëm, me të cilin ne do të fitonim menjëherë përballë  Serbisë në rrafsh ndërkombëtar, njëjtë sikur me GJND-në dhe në raste të tjera. Po si mund të arrihet kah kjo fitore?

Unë mendoj se janë tre pikat kyçe që të çojnë kah fitorja. Së pari, kompaktësimi i faktorit shqiptar në Ballkan në sulm ndaj këtij raporti dhe ideatorëve të tij, sepse sulmi është mbrojtja më e mirë. Së dyti, koordinimi me perëndimin (grupet parlamentare perëndimore në Këshill të Europës, kancelaritë perëndimore, përfshi SHBA-në). Së treti, ofrimi i gatishmërisë për t’u hetuar për akuzat, por jo nëpërmjet urdhërit të Këshillit të Europës siç don Dik Marti dhe Serbia. Hetimi duhet të bëhet nëpërmjet krijimit të një grupi ad hoc të EULEX-it, plus prokurorisë së Kosovës, apo nëpërmjet një grupi ad hoc ekspertësh të hetimit siç sugjeronte profesori i i njohur Ivo Banac.

 

Berisha të thërrasë një tubim mbarëkombëtar të partive parlamentare

Sot unë nuk ndihem më vetëm. Sot nuk mendoj t’i drejtohem Hashim Thaçit dhe Organizatës së veteranëve, sepse raporti nuk kritikon ata- kjo duhet kuptuar njëherë e mirë në Kosovë dhe kudo.  Sot kam ide të tjera për të realizuar këto tre pika, në objektivin tonë për të hedhur poshtë projektrezolutën dhe bashkë me të për ta mundur Serbinë në një forum europian. Kam folur me mikun tim Shpëtim Idrizi, kryetarin e PDU-së, një partie me bosht të fortë kombëtar, njëherazi  anëtar në delegacionin e Shqipërisë në Këshill të Europës. Kemi arritur në përfundimin se zotëri Sali Berisha duhet të thërrasë urgjentisht një tubim të krerëve të partive parlamentare të hapësirës shqiptare. Pse Sali Berisha? Pse ai do të shkojë në Këshill të Europës në 24 janar! Pse ai përfaqëson vendin amë, i cili akuzohet gjithashtu prej Martit ndaj atij i duhet të reagojë në emër të saj! Pse zotëri Sali Berisha ka autoritetin personal me i thirrë liderët e kësaj hapësire në një tubim mbarëkombëtar! Do kisha dashur ta thërrisja vetë, por si drejtues i AKR-së, gjegjësisht i Koalicionit për Kosovë të re, nuk përfaqësoj një institucion me autoritetin e nevojshëm për ta realizuar këtë tubim. Nga ky tubim, unik në historinë e pluralizmit në viset tona, nga ky demonstrim i unitetit dhe forcës së faktorit shqiptar përballë akuzave të tilla monstruoze të Serbisë, duhet të dalë një dokument, një letër, një thirrje të gjitha kancelarive perëndimore. Atyre duhet t’u sqarohet pse Serbia duhet të heqë dorë nga fajësimi i shqiptarëve si komb, por duhet t’u kërkojë ndjesë atyre, njëjtë sikur Bosnjës, Sllovenisë dhe Kroacisë. Atyre duhet t’i shprehet gatishmëria për të pranuar një hetim të institucioneve që kanë mandat për hetimin. Atyre do t’u kërkohet bashkërendimi në 24 janar për ta hedhur poshtë raportin.

Unë jam i bindur se Perëndimi do ta kuptojë forcën tonë si faktor i përbashkuar, forcën e aleatit më të mirë të perëndimorëve në Ballkan. Unë jam i bindur se Perëndimi do ta hidhte poshtë gjithsesi atë pjesë të projektrezolutës që ka brenda absurde të mëdha. Si mundet Këshilli i Europës, një organizatë jo vendimmarrëse të mendojë të fajësojë apo të urdhërojë Bashkimin Europian, EULEX-in, të bëjë këtë, apo atë gjë? Si mundet të besojë Dik Marti, apo Serbia se Këshilli i Europës nëpërmjet një rezolute jovendimmarrëse plot shpifje antihistorike, do të marrë kompetencat e Bashkimit Europian në një territor si yni ku ne jemi sovranë dhe ku BE nëpërmjet EULEX-it na ndihmon në ushtrimin e sovranitetit? Unë jam i bindur se Serbia do të mendohet mirë para se të ndërrmarrë inisiativa të tilla antishqiptare.

Unë jam i bindur gjithashtu se zoti Berisha do ta pranojë këtë ide, do ta pranojë thirrjen që po i bëj nëpërmjet këtij shkrimi dhe nëpërmjet një letre që do ja dërgoj këto ditë, sepse koha nuk pret. Unë dua që kolegët e mi të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë, e cila ka gjithashtu delegacion parlamentar në Këshillin e Europës të kapërcejnë dasitë e tyre politike të brendshme dhe t’i përgjigjen kësaj thirrje. Nga simbolika e këtij takimi, me vlerë kombëtare, kur të shohim sa shumë jemi, dhe sa mirë do ndihemi bashkë, do të dalin mesazhe me vlerë për të gjithë. Bashkë jemi më të fortë. Nëse nuk reagojmë sot, të gjithë bashkë, nesër do të jetë vonë. Në kohë! Të gjithë si komb!

 

 

---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

 

Disa hapa për besimin tek zgjedhjet

Nga Behgjet Pacolli


 

Mediat vazhdojnë të spekulojnë për bisedime mbi qeverinë e ardhshme ndërkohë kur procesi zgjedhor ende nuk është përmbyllur. Mediat vazhdojnë të supozojnë përbërjen e kësaj qeverie, ndërsa procesi zgjedhor, themeli i çdo qeverisje të drejtë dhe të ndershme, ende nuk është vendosur siç duhet. Duke vlerësuar nevojën që ka publiku për transparencë, unë e çmoj informimin mediatik që ju bë takimeve apo aktiviteteve të mia të premten në Rahovec me kryetarin e LDK-së, zotin Isa Mustafa dhe të shtunën me kryetarin e PDK-së, zotin Hashim Thaçi. Me insistimin tim, gjithçka u bë publike, dhe u konfirmua ajo që ne kemi thënë vazhdimisht, se AKR-ja, gjegjësisht Koalicioni për Kosovë të Re nuk ka vijë të kuqe për bashkëpunimin në të ardhshmen.

Por unë sot dua të shtroj shqetësimin për cilësinë e rivotimit nisur nga të metat e procesit zgjedhor. Cilësia e mirë e këtij rivotimi, do të sjellë në çertifikimin e rezultatit dhe procesit në tërësi. Unë këtë ja bëra të ditur kryeministrit Thaçi, i cili mban përgjegjësinë e vet si kreu i qeverisë, e cila ka kompetenca të rëndësishme për zgjedhjet. Vetëm pasi të kemi çertifikim të rezultatit, atëherë mund me fol për çdo qeverisje të ardhshme, pa paragjykime ndaj askujt, si ndaj atyre që kanë qenë një vit, tre apo dhjetë vjet në qeverisje, si ndaj atyre që vijnë për herë të parë në ekzekutiv. Çertifikimi i zgjedhjeve nuk na nevojitet vetëm për krijimin e qeverisë, por dhe për ruajtjen e imazhit të Kosovës, të popullit të Kosovës që i ka kapacitetet të krijojë një shtet funksional.  Edhe trajtimi i problemeve të vëna re në fazën e parë të votimit është dëshmi e këtij kapaciteti. Në çdo vend normal zgjedhjet mund të sjellin probleme, ama zgjidhja e tyre është dëshmi se shteti funksionon.

Janë disa momente ku unë dua të bëj apel për cilësinë e zgjedhjeve, nisur nga vendimet e fundit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PZAP.

Do i kërkoja PZAP-it, të bëjë publik emrat e të gjithë komisionerëve komunalë  të cilët kanë abuzuar dhe kryer transaksione materiale e morale me votën e sovranit. Duke vlerësuar angazhimin e Prokurorisë së Kosovës për të vepruar ndaj krimit elektoral që është dhe krim penal, do të kërkoja që dënimi i komisionerëve që kanë shkelur dhe që do të shkelin ligjin dhe në të ardhmen, të bëhet me procedurë të përshpejtuar. Por kujdes: nuk duhet me u ndëshku vetëm komisionerët, apo nivelet e ndryshme të personelit kompetent të administratës zgjedhore. Përgjegjësia penale duhet të shtrihet atje ku ekziston dhe tek palët e tjera. Ndëshkimi shembullor i shkelësve sot do të na sigurojë proces shembullor nesër.

KQZ-ja, nisur nga vendimet e PZAP-it për komunat ku do të bëhet rivotim, duhet të bëjë urgjentisht ndërrimin e këtyre komisionerëve. Në ato zona, dhe këtu është roli i qeverisë, duhet të ushtrohet mbrojtja dhe me polici  e qendrave të votimit të Zgjedhjeve, diçka që do të zvogëlojë hapësirën për manipulime dhe vendime ad hoc.

Komisioni Qendror Zgjedhor, me gjithë vërejtjet që mund të kemi për të, mbetet institucioni themelor për çertifikimin e zgjedhjeve. Ne e vlerësojmë vendimin e tij për shtrirjen e rinumërimit në 40% të zonave, një hap që e shton besimin në integritetin e procesit. Por ai duhet të udhëheqë një monitorim shumë më transparent dhe më të ndërgjegjshëm të rinumërimit të votave për subjekt dhe kandidat në të gjithë komunat e mbetura në Qendrën e rinumërimit.  Kur unë them monitorim transparent, dua të potencoj se duhet të raportohet herë pas herë në media lidhur për qartësimin e dyshimeve   për rinumërimin e votave në 5 komunat ku do të kemi rivotim, por dhe për pjesën tjetër. Një proces kaq i gjatë deri në dhjetëditëshin e parë të janarit krijon vetëvetiu dyshime, edhe sikur të mos kishim informacion për keqbërje. Ndaj ruajtja e një raporti transparent me mediat dhe me publikun, është thelbësor. Ky proces gjithashtu duhet të mbikqyret 24 orë në 24 nga ai që ka nivelin më të lartë të përgjegjësisë- Kryeshefi, bashkë me stafin e tij. Asnjë hallkë e proçesit nuk duhet me u neglizhu: as rinumërimi për subjekt, as rinumërimi për kandidat, sepse ka zëra që po luhet dhe me rinumërimin për kandidat. Në këtë drejtim duhet të urdhërohen të gjithë zyrtarët e kësaj Qendre të përmbahen nga të gjithë veprimet e mundshme antiligjore që lidhen me këtë proces.

Unë jam i bindur se Kosova, institucionet e Kosovës e kanë kuptuar këtë herë sesa i rëndësishëm është ky proces zgjedhor, cilësia e tij për stabilitetin e ardhshëm të shtetit tonë të ri, për imazhin e këtij shteti dhe duhet me e falëmenderuar miqtë tanë perëndimorë në veçanti ambasadorin amerikan i cili dha me të vërtetë kontribut të jashtëzakonshëm me ndërhyrjen e vet ditën e zgjedhjeve.

Më së fund doja të propozoja diçka që nëse nuk mundet me u realizu që këto zgjedhje,  duhet me çdo kusht të kryhet në zgjedhjet e ardhshme. Meqënëse Kosova është vend i vogël ku distancat e largëta përshkrohen brenda një kohe të shkurtë, atëherë KQZ duhet ta kryejë në qendër procesin e numërimit të votave për zonat ku do rivotohet në 9 janar. Ky është një moment kyç në reformën zgjedhore të së nesërmes.  Çdo individ, pra çdo komisioner është i prirur të abuzojë, por ne duhet me kriju sistemin që ta frenojë atë. Qendërzimi i numërimit në Prishtinë, apo në qendrat e komunave diçka normale për sistemin proporcional kombëtar, është një hap që rrit transparencën, zvogëlon ndikimin e komisionerëve të QV, shton besimin në rezultat. Edhe monitorimi i këtij procesi me kamera, është një masë që rrit transparencën dhe zvogëlon kontestimin.

Jam plotësisht dakord me konstatimin e kryetares së KQZ-së, se problemet filluan kur komisionerët u bënë partiakë. Për të gjithë këto probleme, për numrimin e centralizuar të votave, për komisionerë jopartiakë,për ndëshkime të rrepta për shkelësit e ligjit, për një reformë zgjedhore moderne, duhet me u ul në tryezë menjëherë pas krijimit të qeverisë së re. Por më së pari duhet të kryejmë sa më shpejt regjistrimin e popullsisë. Ai është thelbësor për votën, për lëvizjen e lirë të popullit të Kosovës pa viza, për dokumenta të sigurt, për gjithçka. 

U mundova të tregoj se për ne si Koalicion për Kosovë të Re, nuk është me rëndësi krijimi i qeverisë së re, por një proces i besueshëm zgjedhor. Ky proces kalon nga këto hapa të propozuar e që vendosin besimin mes nesh. Besimi është kyç, për t’ja nisur sfidave të reja të shtetndërtimit.

 

---------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Opozita duhet të bashkohet në rrëzimin e këtij pushteti njëpartiak

nga Behgjet Pacolli

Gjendemi në mes të një krize të re, të parës në historinë e shkurtër të republikës sonë. Mu në mes të krizës, kur ajo s'ka pëlcitur ende, ne bëmë thirrje për një takim mes drejtuesve të opozitës në nivel kryetari. Ky do të ishte një takim mes të mandatuarish të barabartë me njeri tjetrin, pavarësisht se partitë tona janë në parlament apo jo, pavarësisht rezultateve në zgjedhjet e fundit.  Unë thjesht isha thirrësi i tryezës, për më shumë në një vend që i takon popullit, siç është selia e parlamentit. Më vjen keq për ata që s'kanë ardhur në këtë tryezë.

Ne e thirrëm takimin pavarësisht dasive tona programore, qëndrimeve tona politike, me një synim të vetëm: të gjejmë një emërues të përbashkët minimal për daljen nga kjo krizë.  Askush që u ul në këtë tryezë nuk është sjellës i krizës. Ne po e pësojmë atë bashkë me qytetarin. Pse një tryezë? Kudo në botë, partitë e ndryshme të opozitës kanë të paktën një emërues të përbashkët: të rrëzojnë qeverinë. Ne e thirrëm këtë takim për të arritur tek ky emërues i përbashkët. Ishte shumë interesante se disa parti që na kanë akuzuar se bashkëpunojmë me qeverinë, nuk e pranuan ftesën. Nuk pranuan kështu të gjejnë këtë emërues të përbashkët- të rrëzojnë qeverinë. Nuk di ndonjë vend të botës ku qeveria mund të bjerë nëse opozita nuk bëhet bashkë. Qeveritë nuk bien vetë, ato i rrëzon opozita. Nuk pranuan të uleshin me ne, por me qeverinë në të njëjtën godinë.

Qëkur u realizua martesa PDK-LDK 3 vjet më parë, unë ndërsa i uroja sukses, thashë se kjo ishte një martesë e panatyrshme dhe që nuk do të shkonte gjatë.

Në fund të vitit të kaluar thashë se vështirë që kjo qeveri do të kalonte 2010.

Jo për të bërë parashikuesin, por unë kam menduar dhe kam lënë të kuptoj, se kjo qeveri ra se ishte e rënë që kur lindi. Ajo lindi e vdekur. Pra Kosova ka qenë më herët në krizë.  Ka qenë në  krizë ekonomike veçanërisht pasi mirëqenia e qytetarit veçanërisht këto vitet e fundit mbetet në rënie. S'ka investime të huaja.S'ka shumëçka.

 Kemi qenë dhe në krizë institucionale që më herët. Kur Presidenti i Republikës shkel kushtetutën që ditën e parë si kryetar i shtetit, madje për dy vjet rresht, atëherë vendi është në krizë institucionale prej tre vjetësh. Kriza e sotme është veç shpërthimi në sipërfaqe i një bombe me sahat që u kurdis kur presidenti shkeli kushtetutën.  Ne kemi arritur në atë pikë të krizës, kur askush nuk mund të thotë se nuk ka krizë, madje dhe ata që e gatitën.  Madje  duhet ta themi se është një krizë e rëndë. Pse është krizë e rëndë?

Sepse vendi është pa president! Kur vendi është në një krizë, Presidenti është garant i zgjidhjes së krizave. Por ne nuk e kemi garantin!  Nëse Presidenti është i tepërt në një republikë parlamentare, atëherë hajt t'i propozojmë botës, që t'i heqë Presidentët nga hierarkia e institucioneve. Ne duhet të vazhdojmë atë që thotë Kushtetuta: ta shkarkojmë presidentin. Dikush mund të thotë se ne kemi zëvendësuesin e përkohshëm të Presidentit, zotin Krasniqi. Megjithë respektin për ushtruesin e detyrës së Presidentit, në një edicion lajmesh e shohim me tre kostume. Në mbledhjen e kryesisë së PDK-së si sekretar i përgjithshëm i kësaj partie (nesër do ta shohim dhe në Kongresin e saj). E shohim pastaj duke drejtuar votimin e parregullt për strategjinë e privatizimit të PDK-së si kryetar parlamenti, dhe duke folur si President për të caktuar datën e zgjedhjeve! Kjo situatë nuk është  normale!

Pse jemi në krizë? Vendi është pa 6 ministra dhe madje as disa zëvendësministra!

 Ne s'kemi gjysmën e qeverisë në punë, ata kanë dezertuar. Kur ministrat janë në krye të detyrës ata përgjigjen për politikat e dikastereve të tyre. Ata marrin vendime të rëndësishme për jetën e qytetarit.. Ministrat  përgjigjen për drejtësinë, për kulturën, për barnat, për spitalet tona, për ambasadorët, presin homologët e tyre diplomatë. Por ne na mungon gjysma e qeverisë. Ata i janë bindur urdhrit të partisë dhe jo të kushtetutës. Ministrat nuk janë të tepërt në një republikë parlamentare. Nëse do ishte kështu, hajt t'i paraqesim botës një propozim që t'i nxjerrë ministrat si të tepërt dhe të padëshirueshëm.

Por mbi të gjitha kriza mund të jetë më e rëndë, vendi është me institucione të kontrolluara nga një ngjyrë politike! Nga ajo e PDK-së! Për herë të parë që nga arritja e lirisë ne jemi me një qeveri njëngjyrëshe, me një shtet njëngjyrësh njëpartiak. Si në kohën e komunizmit. A mund të pranohet kjo? A janë dakord me këtë ato parti që nuk morën pjesë në takim? Nëse nuk janë, cila është rruga që ato propozojnë për ta ndryshuar gjendjen?

Me këtë situatë, pa president, pa ministra, me një shtet njëpartiak ne duhet dalim në zgjedhje. Vërtet do ta pranojmë gojëkyçur këtë realitet?

Mos harroni që jemi në vitet e para të kësaj republike, dhe në vitet e para të kësaj kushtetute. Nga mënyra si ne i zgjidhim krizat sot, do përcaktohet modeli i zgjidhjes së krizave për nesër. Hajde të zgjedhim një model të mirë dhe t'i tregojmë botës se Kosova e meriton shtetin! Hajdeni në parlament, ju të nderuar kolegë që ndoshta do donit ta thërrisnit ju tryezën, dhe bashkohuni idesë së një seance të jashtëzakonshme ku të debatojmë se ç'të bëjmë.  Nëse s'ju pëlqeu tryeza jonë, në parlament le të vendosim ç'do të bëjmë: shkarkim të presidentit, mocion mosbesimi, apo çdo gjë tjetër që na kërkon qytetari me votën e vet.

------------------------------------------------------------------------------------------------------

Çfarë duhet të bëjë Kosova pas vendimit të GJND-së?

nga Behgjet Pacolli

Mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë pro ligjshmërisë së pavarësisë është pagëzimi i plotë i Kosovës së pavarur prej bashkësisë ndërkombëtare. Ndaj ne të gjithë jemi shumë të lumtur për gëzimin që vendimi ka krijuar në anembanë Kosovën. Populli shqiptar i Kosovës, mbarë Kosova e meritonte një vendim të tillë! 
Ai është rezultati i ligjshëm i betejës sonë të parë juridike me Serbinë. Ne e fituam këtë betejë. Ne e mundëm Serbinë. Fushëbeteja jonë ishte në qendër të botës. Bota u bë me ne dhe ne shtuam miqtë tanë. Me njohjet e reja, ata do të jenë më shumë. Si një njeri që kam kontribuar për njohjet, unë e ndiej lehtësinë që do të sjellë ky vendim në punën time të ardhshme dhe të institucioneve të Kosovës. Ai është një vendim i jashtëzakonshëm pasi që u arrit me vështirësi të mëdha, me një luftë të vendosur të të gjithë neve, por dhe miqve tanë.

Ky vendim nuk ishte meritë ekskluzive e një institucioni të vetëm, as vetëm e institucioneve, por e gjithë klasës politike kosovare, e gjithë popullit shqiptar që kanë treguar pjekuri, vetëpërmbajtje, dhe lidhje të fortë me vlerat perëndimore. Që shumë kohë më herët, që kur ka filluar lëvizja për pavarësi. Madje të parëve ne sot duhet t'i bëjmë homazh heronjve të pavarësisë!
Ne duhet t'u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kryesojnë frontin e miqve të Kosovës. Ata na ndihmuan gjatë Luftës së 1999, dhe më pas, ata besuan në pavarësinë tonë, ata besuan se Kosova do të jetë histori suksesi. Ata donin që të ishin bashkë me ne, pikërisht ditën e shpalljes së vendimit të Gjykatës. Ne e vlerësojmë shumë faktin që zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Bajden, njeri nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe të popullit shqiptar e takoi kryeministrin tonë pikërisht këto ditë. Ne vlerësojmë shumë Bashkimin Evropian i cili ka punuar dhe do të punojë me siguri që të garantojë perspektivën evropiane të Kosovës.

Mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë hap një perspektivë të re për Kosovën, për rajonin dhe faktorin shqiptar në përgjithësi. Serbia tashmë duhet të heshtë në lidhje me këtë çështje. Ajo duhet të harxhojë energji në drejtim tjetër, në drejtim të paqësimit të marrëdhënieve me Kosovën. Në drejtim të zgjidhjes së gjithë atyre problemeve që kanë mbetur pa zgjidhur dhe për këtë ne presim të trajtohemi me respekt dhe në paritet të plotë.Pas vendimit të fundit të GJND, ne presim që brenda pak kohësh OKB-ja të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës. Ne presim që brenda pak kohësh Këshilli i Sigurimit, me këtë dokument juridik të ri, i cili e zhvlerëson përfundimisht edhe de jure Rezolutën 1244, të miratojë një rekomandim të ri për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe kjo nga ana e vet, një rezolutë të re që ta pranojë Kosovën në familjen e kombeve, si anëtare me të drejta të plota. Ne shpresojmë se me klimën e re të marrëdhënieve që ekzistojnë midis anëtarëve të këtij Këshilli, me të drejtë vetoje, përkatësisht midis SHBA-ve dhe Rusisë, apo Kinës, një rezolutë e re është plotësisht e mundshme.

Mendimi Këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë konfirmon sovranitetin territorial të Kosovës, paprekshmërinë e kufijve të saj. Ndaj ne rikonfirmojmë me forcë kundërshtimin ndaj çdo imponimi, ndaj çdo skenari për territorin e Kosovës. Ne presim sot pas vendimit të GJND -së, që tanimë energjitë tona, të klasës politike, të shoqërisë sonë, të përqendrohen në drejtim të:
a) një strategjie të re për njohjet, që patjetër duhet të përfshijë dhe punën për rezolutën e re të OKB-së.
b) në punën për mbushjen me lëndë të shtetësisë së Kosovës.

Ne duhet ta bëjmë funksional shtetin e ri tonin me institucione të reja, të forta, të besueshme, garanci e shtetit ligjor. AKR-ja zotohet se në përputhje me stadin e ri ku ka arritur Kosova, do të zhvillojë një opozitë reale, të drejtë dhe që mbron interesat e popullit të Kosovës. Kjo arritje e madhe e popullit shqiptar të Kosovës nuk duhet t'i bëjë triumfatorë institucionet në fuqi. Ato duhet ta kuptojnë këtë moment si moment marrje përgjegjësish më të mëdha, si moment reflektimi për kritikat që i janë bërë nga ana e opozitës dhe të kuptojnë se Kosova është e të gjithëve. Sot shqiptarët janë më të fortë. Më të qetë. Kur ata janë më të fortë dhe më të qetë, ata nuk abuzojnë me forcën e tyre, por i japin qetësi rajonit. Por tashmë ata duhet të respektohen më shumë.

 

-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Tashmë duhet rezolutë e re pro pavarësisë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së

nga Behgjet Pacolli

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë është pagëzimi i pavarësisë së Kosovës prej bashkësisë ndërkombëtare.

Ai është rezultati i ligjshëm i betejës sonë të parë juridike me Serbinë. Ne e fituam këtë betejë. Ne e mundëm Serbinë. Fushëbeteja jonë ishte në qendër të botës. Bota u bë me ne dhe ne shtuam miqtë tanë.

Ai është një vendim i jashtëzakonshëm pasiqë u arrit me vështirësi të mëdha, me një luftë të vendosur të të gjithëve ne, por dhe miqve tanë.

Ne duhet më së pari t'i bëjmë homazh miqve, që na janë gjendur pranë nesh që herët. Ata nisën të kuptonin se Kosova s'mund të vazhdonte të ishte më pjesë e Jugosllavisë, apo Serbisë. Që bashkësia ndërkombëtare të hapte sytë, ndikoi më së shumti, lufta jonë e madhe për pavarësi, që nisi me protestat e viteve 80, ndikoi fushata e doktor Rugovës për sensibilizimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe gjaku i derdhur prej Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Ndaj sot duhet t'i bëjmë homazh atyre, heronjve të pavarësisë!

Ne duhet t'i bëjmë homazh Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kryesojnë frontin e miqve të Kosovës. Ata na ndihmuan gjatë Luftës së 1999, dhe më pas, ata besuan në pavarësinë tonë, ata besuan se Kosova do të jetë histori suksesi.

Ata donin që të ishin bashkë me ne, pikërisht ditën e shpalljes së vendimit të Gjykatës. Ne e vlerësojmë shumë faktin që zvendëspresidenti i SHBA-ve, Bajden, njeri nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe të popullit shqiptar e takoi kryeministrin tonë pikërisht këto ditë.

Ne vlerësojmë shumë Bashkimin Europian i cili ka punuar dhe do të punojë me siguri që të garantojë perspektivën europiane të Kosovës.

Mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë hap një perspektivë të re për Kosovën, për rajonin dhe faktorin shqiptar në përgjithësi.

Serbia tashmë duhet të heshtë në lidhje me këtë çështje. Ajo duhet të harxhojë energji në drejtim tjetër, në drejtim të paqësimit të marrëdhënieve me ne. Në drejtim të zgjidhjes së gjithë atyre problemeve që kanë mbetur pa zgjidhur dhe për këtë ne presim të trajtohemi me respekt dhe në paritet të plotë.

Pas vendimit të fundit të GJND, ne presim që OKB-ja të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës. Ne presim që Këshilli i Sigurimit, me këtë dokument juridik të ri, i cili e zhvlerëson përfundimisht edhe de jure Rezolutën 1244, të miratojë një rezolutë të re që ta pranojë Kosovën në familjen e kombeve, si anëtare me të drejta të plota të Asamblesë së OKB-së. Ne shpresojmë se me klimën e re të marrëdhënieve që ekzistojnë midis anëtarëve të këtij Këshilli, me të drejtë vetoje, përkatësisht midis SHBA-ve dhe Rusisë, apo Kinës, një rezolutë e re është plotësisht e mundshme.

Mendimi Këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë konfirmon sovranitetin territorial të Kosovës, paprekshmërinë e kufijve të saj. Ndaj ne rikonfirmojmë me forcë kundërshtimin ndaj çdo imponimi, ndaj çdo skenari për territorin e Kosovës.

Ne presim që tanimë energjitë tona, të klasës politike, të shoqërisë sonë, të përqëndrohen në: drejtim të :

1.një strategjie të re për njohjet, që patjetër duhet të përfshijë dhe punën për rezolutën e re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në drejtim të mbushjes me lëndë të shtetësisë së Kosovës.

2. në punën për mbushjen me lëndë të shtetësisë së Kosovës. Ne duhet ta bëjmë funksional shtetin e ri tonin me institucione të reja, të forta, të besueshme, garanci e shtetit ligjor.

Sot shqiptarët janë më të fortë. Më të qetë. Kur ata janë më të fortë dhe më të qetë, ata nuk abuzojnë me forcën e tyre, por i japin qetësi rajonit. Por tashmë ata duhet të respektohen më shumë.

 

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Korrupsioni dhe institucionet 

Behgjet Pacolli

Ditët e fundit ka patur një aktivizim të madh të krerëve të shtetit kah drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit. Presidenti i Republikës brenda pak ditësh ka vizituar Kryeprokurorin e Kosovës dhe atë special, dhe më në fund i ka zhvilluar një vizitë dhe Gjykatës Supreme. Lajtmotivi i vizitës së tij ishte "lufta kundër korrupsionit". Nuk mbeti pas as kryeministri i cili mbi dhjetë herë e ka përmendur "luftën kundër korrupsionit", në mesazhin e tij të pazakontë. Ishte një mesazh kopie jo besnike e stilit amerikan të ligjërimit, por druaj se do të zerë vend tek qytetari i Kosovës.

Tema e luftës kundër korrupsionit është bërë praktikisht tema dominante edhe e një pjese të opozitës, e cila dikur ka qenë në pushtet, pra në qeverisjen e pas viteve 1999.  Por dhe ajo jep mesazhe të gabuara: ajo e shikon  zgjidhjen vetëm tek largimi i Thaçit dhe i kësaj qeverie. Mesazhet që ajo ka dhënë në lidhje me hetimet janë thjesht me natyrë partiake- duhet të ikë kjo qeveri, që të vijë një qeveri tjetër. Por vetëm kaq është pak.

AKR-ja mendon ndryshe. Mesazhet e të gjithë këtyre faktorëve, Presidentit, Kryeministrit dhe e kësaj pjese të opozitës kanë një emërues të përbashkët. Politizimin e drejtësisë. Politizimin e institucioneve. Politizimin e rezultateve të punës së drejtësisë. Pushtimin e hapësirës jetike të veprimit të drejtësisë. Përshembull a ju duket normale, a keni parë kund në ndonjë vend perëndimor që Presidenti të shkojë dy herë brenda një jave në vizitë në institucionet kryesore të drejtësisë dhe t'u japë atyre porosi të luftojnë korrupsionin? Gjykatat nuk kanë në misionin e tyre asfare të luftojnë korrupsionin dhe presidenti duhet ta dijë më mirë se unë këtë. Gjykatat duhet të japin drejtësi. Nga ana tjetër nuk është normale t'i krijohen komplekse drejtuesve të institucioneve të drejtësisë duke i kujtuar të kaluarën e tyre apo duke i rrahur shpatullat, duke u lëshuar mesazhe atërore kur po hetohet në të gjitha frontet. Kryetari i Kosovës është njeri partiak, formalisht numri një i partisë më të vjetër të Kosovës, dhe njerëzit e LDK-së mund të jenë gjithashtu objekt hetimi. E kishte plotësisht gabim dhe Kryeministri, megjithë mesazhin e tij "prekës" që kishte në thelb drejtimin prej qeverisë "të luftës kundër korrupsionit". Si mund të drejtojë këtë luftë sot kreu i qeverisë e cila po hetohet për korrupsion? Është kontradiktore deklarimi se qeveria po e lufton korrupsionin ndërsa në anën tjetër ajo vetë po hetohet. Kjo ngjan më shumë si vetëmbrojtje në sytë e qytetarit- ai duhet ta kishte filluar me kohë luftën ndaj korrupsionit. E vlerësojmë që Kryeministri e ka kuptuar më në fund se është në mes të krizës së besimit popullor, por kjo s'do të thotë se bash sot ai ka mundësi të luftojë korrupsionin si udhëheqës i kësaj lufte.

Qasja jonë si AKR, është plotësisht institucionale. Diku në një shkrim timin kam thënë se jemi duke ndërtuar një shtëpi të re, një shtet të ri. Sa më mirë të ndërtojmë themelet e këtij shteti tani, aq më i fortë do të jetë ai nesër". Ky shtet, institucionet e tij po vendosin themelet pikërisht në betejat e sotme, kur prokuroria sot dhe gjykatat nesër do të vendosin për fajësinë apo jo të ministrave të kësaj qeverie, e pse jo dhe udhëheqësve të këtij shteti. Por këto institucione duhen lënë rehat në punën e tyre. Pushtetet janë të ndara në një shtet ligjor, dhe ne si politikanë, të dy krahëve, thjesht duhet t'i mbështesim këto institucione, t'i krijojmë kushte normale pune, jo si në prokurorinë e Prishtinës ku ka vetëm një faks siç njoftonte një media dikur.

Ne si AKR- kemi një qasje plotësisht institucionale, sepse ne e kuptojmë mirë shtetin ligjor që kalon nga parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve. Ne e dimë se kryeministri ka një hise në luftën kundër korrupsionit, por për këtë ai duhet vetëm të realizojë ato që premtoi në mesazhin e tij- ndryshime efikase në Kodet e Kosovës. Ai duhet të krijojë dhe forcojë institucionet ekzekutive të kësaj lufte si Auditet, kontrollet ekzekutive, task forcën antikorrupsion, të rrisë transparencën në prokurime, të thjeshtojë procedurat, t'i japë mjete hetimore, përgjuese policisë, etj, etj. Këto institucione duhet të përgatisin lëndën e punës për prokuroritë dhe gjykatat, por gjithsekush hisen e vet, brenda sinoreve të vet.

Ne të AKR-së, kemi një qasje institucionale, sepse ne besojmë se Kosova stabilizohet nëse forcohen institucionet e saj, nëse hetimeve u shkohet deri në fund dhe nëse politika heq dorë nga futja e hundëve në proceset hetimore apo nga shantazhet ndaj hetuesve. Ne të AKR-së, mendojmë se kemi më shumë të drejtë se partitë e tjera të flasim për korrupsionin, sepse ne s'jemi të përlyer në punët jo të mira të qeverisjeve të pasluftës.

Disa propozime politike

Mesazhi i kryeministrit Thaçi, tregoi se kjo qeveri ka humbur, jo vetëm besimin e qytetarit. Jam plotësisht dakord me kolegët e tjerë të opozitës se kjo qeveri s'mund të vazhdojë më, pra jam për dorëheqjen e saj. Por nëse për shkak të veçorive ku gjendet Kosova, për shkak të insistimit të miqve tanë për të mos shkuar në zgjedhje të parakohshme, ne nuk do arrijmë dot objektivin tonë si opozitë, atëherë ne kemi disa kushte.

Ne e mbështesim EULEX-in në këtë rol aktiv që ka marrë, sepse ne besojmë se prokurorët tanë nuk mund të hetonin dot ministrat në këtë fazë të shtetësisë sonë. Pra EULEX duhet të udhëheqë hetimet dhe t'i çojë ato deri në fund.

Ne do të propozojmë shumë shpejt një platformë ligjore dhe politike antikorrupsion.

Ne duam një kuadër të modifikuar zgjedhor, por vetëm me konsensusin e të gjithëve.

Ne jemi kundër privatizimeve të rëndësishme në vitin e fundit të mandatit siç premtoi kryeministri për KEK-un dhe PTK-në. Në asnjë vend normal, një qeveri nuk kryen privatizime të mëdha vitin e fundit dhe miqtë tanë duhet t'ja thonë kryeministrit këtë praktikë të konsoliduar antikorrupsion në vendet e tyre. AKR-ja e mbështet fuqimisht mospërzierjen e qeverisë në ekonomi, në kontratat komerciale. Por ngritja e dollisë prej anëtarëve të qeverisë për kontrata të tilla, dukej diçka e vrazhdë. Ne presim shumë që të sigurohet transparencë rreth kontratave vitale për Kosovën që ka firmosur kjo qeveri, pasiqë ajo deri më tani mungon.

Unë e mbështes ICO dhe Peter Faith për mospërdorimin e fondeve të Trustit pensional dhe të privatizimit që nuk janë fonde të kësaj qeverie, por të gjithë Kosovës. Asnjera prej këtyre qeverive nuk mund të përdorë këto para për mbushjen e kasave të saj, për nevoja emergjente, për programe të ngutshme të saj, por duhet të krijohet një Agjencion i kontrolluar nga akterët civilë, politikë dhe apolitikë të Kosovës, për të menaxhuar këto fonde që duhet të shërbejnë për ardhmërinë e fëmijëve tanë.

Ne jemi tërësisht kundër bisedimeve teknike pa konsultime të kryera brenda një institucioni koordinimi të të gjithë palëve apo faktorëve politikë dhe civilë në Kosovë.

Unë jam thellësisht i bindur se zërave për ndarje të Kosovës duhet t'i kundërvihemi vendosmërisht si një komb i bashkuar. Por ama mendoj se dhe idetë për riorganizime territoriale që "njohin natyrën e veçantë rajonale të Kosovës së veriut", nuk mund të  vendosen nga kjo qeveri siç u zotua kryeministri. Kryeministri duhet ta sqarojë se ç' ka dashur të thotë me fjalët për "Kosovën veriore". Kjo qeveri është nën hetim, është nën emergjencë, është e akuzuar fort për korrrupsion ndaj për fatin e Kosovës duhet të vendosin të gjithë, shumicë dhe opozitë si në të gjithë vendet normale.

Më duhet të them krejt në fund, se qytetari i Kosovës nuk është impresionuar  prej fjalimit që ishte i mirë, sepse në fund të fundit kryeministri u zotua për të vendosur në jetë premtimet e vjetra dhe të reja. Nëse nuk i mban këto premtime, atëherë efektet mbi të do të jenë më shkatërrimtare se tani kur kryeministri u detyrua të pranonte publikisht gabimet e veta.

 

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Duhet një institucion koordinues

Editorial nga Behgjet Pacolli

Prishtinë, 01.06.2010 - Jemi duke jetuar ngjarje të cilat cenojnë, apo mund të cenojnë interesin kombëtar në objektivat kryesore të tij- mbijetesën dhe sigurinë kombëtare. Interesi kombëtar është tërësia e qëllimeve dhe objektivave të një shteti, ku më të rëndësishmit janë mbijetesa dhe siguria e tij.

Po flitet për diskutime teknike, pragmatike, madje dikush guxon dhe kërkon diskutime mbi statusin e Kosovës. Po flitet se para vendimit të GJND-së, madje shumë më herët, siç saktëson një politikane lokale serbe, Serbia po lobonte dhe po lobon për ndarjen e Kosovës, pra rihapjen e diskutimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës. Ajo flet për një lobim prondarjes që në kohën e Koshtunicës, madje për hapjen e kësaj teme, në zyrën e zëvendëspresidentit të SHBA-ve, Dick Cheney. Me shumë gjasa, një thënie e kësaj politikaneje, mund të jetë një balon prove për të testuar opinionin publik në Kosovë, apo pse jo dhe atë rajonal. e them këtë sepse prej shumë kohësh, nga Beogradi zyrtar vijnë mesazhe kundërthënëse: dikush përgënjeshtron idenë e ndarjes, dikush e afirmon atë. Fakti që për ta afirmuar mesazhin pro ndarjes, u zgjodh një nivel lokal politik, duket se konfirmon që kjo tezë u lëshua tani si njëlloj baloni prove për Kosovën apo për rajonin. Ose për të testuar, ose për të turbulluar! Unë nuk e besoj një lajm si ky, sepse nuk besoj kurrë se një temë si ndarja, do të mund të hapej në zyrën e një përfaqësuesi të lartë të shtetit që ka qenë dhe mbetet miku më i madh i Kosovës, siç janë SHBA-të. SHBA-të, pastaj janë vendi më i afishuar kundër idesë së ndarjes së Kosovës, dhe kjo e bën edhe më shumë provokative gjoja informacionin e zonjës në fjalë. Të dy administratat, ajo republikane, dhe ajo demokrate kanë qenë, janë dhe do mbeten me Kosovën. Por kjo s'do të thotë se ideja e ndarjes, s' duhet përballur seriozisht për ta bllokuar atë përfundimisht. Si-kjo është çështja?

Në veriun e Kosovës gjithashtu ka turbullira si p.sh në Mitrovicë dhe s'kemi arritur asgjë.

Edhe për njohjet, element themelor për afirmimin ndërkombëtar të sovranitetit të Kosovës në gjithë territorin, po shohim njëlloj gare të institucioneve për të arritur njohje, që ndonjëherë thjesht janë "njohje të siguruara më parë". Po mungon koordinimi midis akterëve kryesorë që po punojnë për njohjet. Unë kam bërë edhe më parë thirrje për koordinim, por askush nuk më ka dëgjuar. Sot askush nuk mund të sillet si shurdh. Situata nuk është si më parë.

Ngjarjet që përmenda rastësisht ose jo rastësisht koincidojnë me një periudhë të çuditshme. Koincidenca e parë është afrimi i verës, i pushimeve kur bie vigjilenca e njerëzve dhe e shteteve. Koincidenca e dytë është se këto ngjarje po ndodhin kur pritet të shpallet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin e Kosovës. Këto ngjarje koincidojnë dhe me një moment aktivizimi të pranisë ndërkombëtare në Kosovë në luftën kundër korrupsionit- kjo është koincidenca e tretë. Lajmet mbi bastisjen e ministrisë së transporteve, apo se po hetohen 100 çështje, apo se 6 prej tyre janë të nivelit të lartë, nuk janë lajme të mira për forcën dhe autoritetin e brendshëm dhe të jashtëm të qeverisë.

Propozimi im

Angazhimi për t'u përballur me diskutime pragmatike, teknike, apo më keq akoma për t'ju kundërvënë strategjisë së ndarjes së Kosovës, për njohjet, lidhen direkt me interesin kombëtar. Jo thjesht të Kosovës, por të mbarë shqiptarëve kudo që janë.

Për çështjet që janë të lidhura me interesin kombëtar, vendet normale krijojnë institucione që bashkojnë të gjitha palët politike. Të gjitha palët politike harmonizojnë qëndrimet e tyre brenda këtyre institucioneve ad hoc. Kosova nuk është duke e bërë këtë, që prej diskutimeve për statusin nën drejtimin e Ahtisaarit. Pra Kosova është e ndarë para kërcënimeve të jashtme.

Kosova ka shumë më shumë arsye sot për të krijuar institucione të tilla pajtuese, vendimmarrëse, përfaqësuese, apo të paktën këshilluese për institucionet ekzistuese të shtetit të ri. Njerëzit që sot drejtojnë shtetin në dy partitë kryesore janë duke punuar në një klimë hetimesh, që s'është e favorshme, që i ka prishur qetësinë personale, dhe ndaj ata s'mund dhe s'duhet ta mbajnë të vetëm barrën e përgjegjësive të tilla siç janë çështjet që përmenda më lart.

Për të gjithë këto arsye unë do të propozoja që Presidenti i Republikës të kompozonte një lloj Këshilli të interesit kombëtar. Ky këshill duhet të përmblidhte brenda përfaqësuesit e partive kryesore të vendit, krerët e institucioneve dhe individë me reputacion të lartë në shoqërinë tonë. Ky institucion nuk është në kundërshtim as me Kushtetutën, as me dokumentet ndërkombëtare.

Ky Këshill duhet në mbledhje të mbyllura për mediat të trajtojë përshembull çështjet e njohjeve, duke u përpjekur të krijojë një strategji pajtuese të të gjithë aktorëve, që po kontribuojnë. Nëse do të kishim patur këtë institucion që më parë, nuk do të përballeshim me dublime përpjekjesh, me ndjekje prej ministrisë së jashtme të pistave të hapura më parë. Pra nuk do kishim ndjekje të punëve të kryera siç ishte rasti i Tanzanisë. Do të kishim bashkëpunim në Nisë, dhe jo vështirësi të titullarit të kësaj ministrie për të gjetur vend ku me u taku me homologët e vet, diçka që mund ta dëshmoj personalisht. Do të kishim dërgim të kërkesave të Presidentit për njohje, në të gjithë vendet pa përjashtim, dhe jo si deri më sot, kur disa vende injorohen, apo ftesat përfundojnë s'dihet se ku.  Këshilli në fjalë duhet patjetër të ballafaqohet me çështjen e bisedimeve teknike, apo me strategjinë që duhet ndjekur pas vendimit të pritshëm të GJND në 22 korrik, siç flitet. Sigurisht gjithçka duhet konsultuar me miqtë tanë perëndimorë.

Por mbi të gjitha ky Këshill duhet të trajtojë me vendosmëri, kërcënime si ndarja e Kosovës dhe duhet të miratojë një strategji kundërshtuese me reagime të forta. Nëse vërtet Beogradi hedh në tregun ndërkombëtar idenë e ndarjes, atëherë ne duhet të koordinojmë këtë strategji dhe me faktorët e tjerë legalë shqiptarë, me shtetin amë, apo me faktorët e tjerë politikë në Maqedoni. Shqiptarët sot nuk janë më një faktor i dobët që mund të nëpërkëmben kollaj. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, shqiptarët sot si komb janë më të fortë.

Ky është propozimi im i thjeshtë! Kur unë kërkoja qeveri teknike, kam parasysh dhe se kjo qeveri, këto institucione, që gjenden në krizë nuk mund të prodhojnë nga pikëpamja e interesit kombëtar vendimet e duhura në një situatë kaq problematike si kjo. Por nëse nuk kemi qeveri teknike, atëherë ky institucion, ky Këshill i interesit kombëtar duhet të krijohet patjetër. Kosova nuk e ka luksin që t'ja besojë vendimet më të rëndësishme vetëm një grushti njerëzish. Kosova duhet të jetë bashkë në vështirësi. Shqiptarët kudo që janë duhet të jenë bashkë në vështirësi. Dhe bashkë, askush nuk mund të na mundë dot.

-------------------------------------------------------------------------------------------

Rëndësia e themeleve të shtetit

Behgjet Pacolli

17 shkurt 2010 - Kosova feston 2-vjetorin e pavarësisë së saj dhe ky moment nuk është gjë tjetër veçse një moment festi , por edhe një moment i madh reflektimi. Dy vjet në jetën e një shteti janë pak, por megjithatë janë shumë për të pritur dhe  kuptuar drejtimin që do të marrë  shteti ynë, ndërsa shtetet e tjerë, më të moçëm sesa ne, bëjnë hapa gjigandë para. Me një fjalë, edhe pse jemi një shtet kërthi, i vogël  s’mund të sillemi si fëmijë: duhet të mësojmë shpejt, të zhvillohemi shpejt, të shmangim gabimet e të tjerëve. Gabimet e sotme, ndërsa vëmë themelet, mund të na kushtojnë shumë gjithë jetën. Sot, më shumë duhet të përqëndrohemi për të kuptuar gabimet e vetes, sesa të festojmë.

Po e filloj me rikonfirmimin e një të vërtete të madhe pajtuese. Pajtuese të të gjitha ndjeshmërive kryesore të popullit të Kosovës. Dy janë themelet ku mbështetet kjo pavarësi që kemi sot: Puna e madhe e Ibrahim Rugovës për të krijuar një shoqëri paralele, për të na mësuar me idenë e shtetësisë, për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës dhe lufta e UÇK-së, gjaku i derdhur nga heronjtë e saj.  E them vazhdimisht këtë të vërtetë pajtuese, jo për t'u dukur i mirë me të dy palët, por sepse kështu besoj fuqimisht. Unë vetë kam admiruar Rugovën, por dhe kam ndjekur me simpati luftën e UÇK-së, me të cilën u bashkua që në fillim im vëlla. Të dy këto momente, të dy këto faza kanë qenë të domosdoshme në arritjen e idesë së shtetësisë së Kosovës siç e kemi sot.

Këtë të vërtetë e kanë kuptuar dhe drejtuesit e UÇK-së, që pas luhatjeve të kuptueshme pas luftës apo gabimeve të asaj kohe, zgjodhën aleate pikërisht LDK-në. E them këtë pohim me sinqeritet. Unë, AKR-ja, mund të kishim insistuar që të përfshiheshim në këtë qeveri që në filllim, por s'mund të ishim bindës në ndërrmarrjet e vështira të shtet-formimit, siç ishte beteja e simboleve, Pakoja Ahtisaari etj, etj, ku faktori ndërkombëtar kishte peshë të madhe. Askush nuk do ta  mirëkuptonte një parti të re si AKR-ja, me një drejtues si unë që vinte nga bota e biznesit të madh ndërkombëtar, në miratimin e atyre lëshimeve të dhimbshme, por të domosdoshme. Kjo është arsyeja pse unë e kam mbështetur në disa momente qeverinë që është në fuqi.

Po vazhdoj edhe pak me meritat sepse jemi në ditën e pavarësisë dhe s'po e filloj me të metat. Kjo qeveri që është në fuqi, i ka shërbyer megjithatë pajtimit shoqëror. Pas gabimeve të para, pse jo dhe veprimeve të paligjshme që shpresoj shumë se kanë qenë me natyrë individuale, PDK-ja, edhe nën trysninë e partneres së saj LDK, nuk i kanë shërbyer ndarjes së shoqërisë, por afrimit të saj. Nuk janë jetësuar masivisht politika diskriminuese të tipit “ne me luftën kundër jush jashtë luftës”, që mund të thellonin ndarjet krahinore apo shoqërore në përgjithësi. Gjuha politike, edhe për meritë të qeverisëpor dhe të opozitës, është më e ngjashme me vendet skandinave, sesa me atë të vendeve të Ballkanit.  Kosova, madje duke parë se çfarë ndodhte në Shqipëri, nuk bëri shumë gabime të fazës së parë të tranzicionit në vendin amë. Kosova është një shtet kërthi, të cilit nuk mund t'i falen gabimet normale të një shteti të vjetër.

Në këtë mënyrë, pra pozitiviste e shoh edhe sjelljen e kësaj qeverie ndaj faktorit ndërkombëtar. I mirëkuptoj të gjithë zërat kritikë ndaj gabimeve të faktorit ndërkombëtar, zëra me origjinë sovraniste. I ftoj këta njerëz të imagjinojnë pavarësinë që në 1999. A do kishim ecur më shpejt apo do kishim bërë asokohe gabime që do të na kishin kushtuar shumë, veçanërisht falë konfliktualitetit të madh të asaj periudhe? A na kanë mësuar ndërkombëtarët artin e qeverisjes dhe mbi të gjitha a na kanë mbrojtur nga rreziqe të jashtme të cilat janë të pranishëm edhe sot? A do të kishim bërë asokohe, a mund të bëjmë edhe sot, kaq shpejt një shtet efektiv, domethënë një gjyqësi, administratë, një ushtri efektive? Ne si shoqëri, si shtet i ri, nuk i bëjmë mirë ato gjëra që i bëjmë ekskluzivisht vetë, pa le të bëjmë ato gjëra, pra të zhvillojmë ato kompetenca që sot ka faktori ndërkombëtar. Ne do të kishim të drejtë të kërkonim dhe ato kompetenca që ka sot bashkësia ndërkombëtare, vetëm nëse do të bënim mirë ato kompetenca që janë ekskluzivisht tonat.

Kritikë por edhe propozime

Hyra kështu në pjesën kritike të reflektimit tim. Nëse qeveria është sjellë mirë duke zgjedhur një kurs pajtues, duhet ta themi që në krye të herës se ajo ka gabuar në politikat zhvilluese apo në të ndërtimit të institucioneve që fillojnë që me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në këtë drejtim ne nuk mund ta falim qeverinë. Kemi hyrë vërtet në një fazë të re, që unë e kam quajtur fazën e tretë të zhvillimit ekonomik të shpejtë të Kosovës. Shumë individë, pjesë e kësaj qeverie, vetë partitë aleate të saj, kanë kontribut negativ në ritmet e ngadalta të zhvillimit të cilat nuk i falen këtij vendi të ri, apo në ndërtimin e institucioneve. Nëse jam dakord me linjën e pajtimit, të cilën do ta mbroj vazhdimisht, kam kërkuar dhe do të kërkoj fuqimisht që në këtë fazë të re të hynim dhe të ecim ndryshe. Ne nuk mund të biem pre e taktikave politike, që të sigurojnë sukses afatshkurtër siç ndodh shpesh me veprimet dhe me propagandën e kësaj qeverie, me blerje deputetësh, riformatizime të rrejshme, që s'bëhen kurrë apo bëhen kur s'kanë vlerë etj. Ne, duhet të mendojmë për politika afatgjata që sigurojnë zhvillim dhe institucione të forta mbështetur mbi ligj. Zhvillimi ndërtohet mbi projekte afatgjata që themelohen mbi konsensus të gjerë dhe garantohen nga institucione. Projektet afatgjata i bëjnë njerëzit që nuk kanë histori negative korrupsioni, apo që të vetmet spaleta  meritore kanë të qënurit anëtarë të UÇK-së, apo" rugovistë" të hershëm. Idealeve të UÇK-së dhe të Rugovës i shërbejnë vetëm ata individë që kuptojnë mirë kohën që jetojmë dhe sfidat e saj. Këtë e thonë vazhdimisht edhe miqtë tanë ndërkombëtarë që kanë vënë bast për aftësitë tona zhvilluese.

Na duhen politika zhvillimi pra që mbështeten mbi shfrytëzimin e të gjithë aftësive tona kombëtare, njerëzore, financiare dhe të gjitha natyrave.  Në këtë drejtim nuk mund të injorojmë diasporën tonë, fuqitë e saj ekonomike dhe financiare, aftësitë e bijve tanë që kanë studiuar në perëndim.

Na duhen politika liberale që të nxisim ardhjen e  investimeve të huaja dhe jo pengimin e tyre siç ka ndodhur deri sot dhe për të cilat jam dëshmitar i pafuqishëm. Kosova ka shumë avantazhe konkuruese siç janë: mosha e re e popullsisë, njohja e disa teknologjive të reja, respekti i qytetarëve për shtetin, ligjin dhe pronën dhe pse jo faktin që jemi shtet  i ri, që s'ka patur kohë dhe mundësi të bëjë gabime të mëdha në zhvillim.

Na duhet një arsim i tipit të ri, që të kapërcejë me ngut fazën e arsimimit kaotik, virtual që ekziston sot.

Na duhet një klasë politike e hapur ndaj teknokratëve që vijnë nga bota akademike apo nga bota e biznesit. Na duhen institucione mbështetur mbi ligjin dhe jo mbi verbërinë partiake.

Na duhen shumë gjëra. Por mbi të gjitha na duhet në mënyrë të përmbledhur, politika të tipit afatgjatë, natyrale për një shtet që ka vetëm dy vite jetë. Nëse nuk mendojmë në mënyrë afatgjatë, atëherë gabimet e sotme do të na kushtojnë tërë jetën. Të qenurit kaq të brishtë, vetëm dy vjeç, është avantazh, por dhe rrezik i madh. Nëse ndërton gabim themelet e një shtëpie, atëherë ajo mund të rrëzohet shpejt, ashtu siç dhe do të jetë gjithmonë nën frikën e rrëzimit.

-------------------------------------------------------------------------------------------

Dëgjojeni zërin e qytetarëve të tradhëtuar!

Nga Behgjet Pacolli

18 nentor 2009 - Ajo që ndodhi në Gjakovë ditën e zgjedhjeve është vërtet diçka e rëndë. Ai ishte një atentat ndaj demokracisë në shtetin më të ri të Europës.

Këtë nuk e them unë. E thonë mijëra qytetarë të Gjakovës që në mënyrë paqësore dolën dhe protestuan kundër dhunimit të votës. Ma tha një grup studentësh të Gjakovës në Prishtinë që votuan Mimozën, megjithëse nuk janë pjesë e AKR-së dhe që donin të bënin diçka në mbrojtje të votës së tyre. Pamja e këtyre të rinjve, pamja e atyre qytetarëve të Gjakovës që unë do t’i kisha lutur të ruanin karakterin paqësor të protestave të tyre, është pamje e bukur e këtyre zgjedhjeve. Protesta e tyre paqësore ishte protesta e parë për votën e lirë në shtetin më të ri të Evropës, në zgjedhjet e para si shtet i pavarur.

Për këtë arsye, të gjithë duhet ta dëgjojnë zërin  e protestuesve. Duhet ta dëgjojnë institucionet ekzekutive, presidenti i shtetit. Askush prej tyre derimë tani nuk ka reaguar ta dënojë atë ç’ka ndodhi, megjithë provat që solli media, apo kandidatja e  koalicionit tonë AKR-LDD. Nuk reagoi as AAK-ja që duhet të distancohet nga shfaqje të tilla të përdorimit të mjeteve të dhunës, të presionit ndaj komisionerëve, të votimit të të vdekurve, të emigrantëve që s’janë të pranishëm në Kosovë. Ka plot dëshmi për këtë, dhe me dhjetra po mblidhen nga ora në orë. Kam droje se dhe në qytete të tjera ka patur raste të prekjes së votës së qytetarëve.

Unë do të kisha lutur edhe bashkësinë ndërkombëtare të vazhdonte të reagonte për të dënuar këto akte të shëmtuara. E di se miqtë tanë që na duan vërtet, në emër të ruajtjes së imazhit të mirë të Kosovës kanë thënë se u mbajtën zgjedhje të lira dhe të ndershme, por pas rastit të Gjakovës ata po thonë edhe se “duhet punuar në korrigjimin e parregullsive”. E di që edhe në takime të mbyllura ata po bëjnë presion që kjo çështje të zgjidhet në korniza të ligjit dhe institucioneve. Ka disa deklarime pozitive në këtë drejtim. Ministri i jashtëm britanik Milliband kërkoi që të korrigjoheshin parregullsitë e zgjedhjeve. Kjo është diçka që inkurajon njerëzit e institucioneve kompetente për zgjedhjet të japin drejtësi në kushte komode. Pa patur frikë nga presioni. Zoti Milliband dhe miqtë tanë e dinë më mirë se ne, se  procesi zgjedhor nuk është vetëm dita e votimeve. Kjo ditë shkoi mirë për meritë të qytetarëve, por pjesë e procesit është numërimi, puna e Komisioneve, trajtimi i ankimimeve, balotazhi. Ndaj duhet vëmendje që politika të jetë në nivelin e qytetarëve. Të garantojë paprekshmërinë e procesit zgjedhor dhe votës së qytetarëve.

Ajo që ndodhi në Gjakovë ishte dëshmi e prekshme e përfshirjes së krimit të organizuar në procesin zgjedhor. Ishte dëshmi e hajnisë që preku me duart e veta të pista atë çka është gjëja më e shenjtë e qytetarit në demokraci- vota. Gjakova ishte vetëm shfaqja më e prekshme e kësaj hajnie, që ndoshta në zona të tjera ishte më e sofistikuar.

Pse dolën protestuesit në Gjakovë

Protestuesit në Kosovë nuk dolën për Behgjet Pacollin. Ata reaguan në mënyrën më qytetare të mundshme në mbrojtje të votës- dëshmi se ndërgjegja demokratike e këtij populli kaq shumë të dëshiruar për liri, pavarësi dhe shtet të ligjit është e gjallë dhe e fortë. Kjo është garanci e të ardhmes së Kosovës. Ky popull reagoi sepse ndjeu tolerimin e këtyre shfaqjeve të turpshme të vjedhjeve të votave në mes të ditës dhe natën. Ky popull reagoi sepse u ndie i tradhëtuar prej institucioneve.

Populli i Gjakovës doli në rrugë për Mimoza Kusari Lilën, kandidaten e vet që e mbështeti fuqishëm gjatë fushatës. Kandidaten që dëgjoi rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi dhe fshat më fshat hallet e tij.

Mimoza Kusari është kandidate e re në shtetin më të ri të Europës, me popullsinë më të re në Europë dhe mjerisht më të varfërin në Europë. Ajo është kandidate femër, nga të paktat në listën e kandidateve femra, që në këto zgjedhje numërohen me gishta.

Ajo është pra përfaqësuese besnike e brezit të ri dhe premtues të Kosovës, si shumë prej kandidatëve të partisë sonë në komuna të ndryshme nga jugu në veri. Ajo është dëshmi e brumosjes së këtij brezi me vlerat perëndimore që kthehet në atdhe dhe dëshiron të ndryshojë vendin dhe shoqërinë e vet. Ajo është përfaqësuese e një Kosove të bashkuar dhe jo e një Kosove rajonale apo klanore. Ajo është  dëshmi se AKR-ja është parti kombëtare siç u duk nga rezultatet që e nxjerrin atë në rritje të lehtë, por konstante në të gjithë Kosovën. Kandidatët e AKR-së ishin gjithashtu pjesë e kësaj fryme të re që AKR-ja kërkon t’i përcjellë gjithë politikës dhe shoqërisë së Kosovës. Kjo ishte risia jonë në këto zgjedhje përballë shumë kandidatëve të partive të tjera në moshë të shkuar, pjesë të frymës së vjetër. Kandidatët tanë kanë shumë për t’i dhënë Kosovës.

Ajo që ndodhi në Gjakovë duhet dënuar me forcë pikërisht pse zgjedhjet e së dielës ishin të parat në historinë tonë si shtet i pavarur. Shfaqje të tilla duhen dënuar që tani sepse nesër do të jetë vonë: ato do të shndërrohen në zakon i gjithëpranuar. Nëse krimi i organizuar do të bëhet aksioner i pushtetit politik, pikërisht nëpërmjet manipulimit të votave me forcë, atëherë nesër do të jetë vonë.

Për çështjen e Gjakovës nuk duhet të flasë thjesht Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Kjo i kalon kompetencat e KZAP-it.  Është çështje e prokurorit dhe e gjykatave sepse në Gjakovë janë kryer akte kriminale të ndjekshme penalisht. Duhet futur në burg kush prek votën.

Protestuesit e Gjakovës, njeri nga qytetet më elitarë të Kosovës, mjerisht sot njeri nga qytetet më të varfëra të saj, nuk duan ta tolerojnë këtë gjendje. Nuk do ta tolerojë as rinia e mrekullueshme e Kosovës, të cilën unë e pashë të mbushte masivisht të gjithë tubimet tona anembanë vendit. Ata nuk duan t’u grabitet vota, t’u dhunohet vota. Ata nuk duan që Kosova të bjerë në apati shoqërore, të tolerojë grabitjen e votës si rreth nesh ku vjedhja e votës është bërë kronike.

Për këtë arsye unë i bëj apel institucioneve të Kosovës të reagojnë me shpejtësi dhe të japin drejtësi. Unë kam besim se do ta bëjnë këtë, pra do të japin drejtësi. Do dëgjojnë zërin e qytetarëve.

AKR-ja nuk është parti e dhunës dhe nuk do të marrë kurrë vota nëpërmjet dhunës. Forca e qytetarëve, e votuesve të saj që janë nga ana e të drejtës në Gjakovë apo kudo, është megjithatë e pathyeshme. Ndaj do ju kisha lutur ta dëgjoni zërin e atyre që sot dalin për votën e lirë!

 

 

--------------------------------------------------------------------------------------------

Forca e ndryshimit

Nga Behgjet Pacolli

President i AKR

12 nentor 2009 - Ja ku po takohemi sërisht në mbyllje të një fushate të lodhshme, por të qetë. Së paku për fushatën e AKR-së, këtë mund ta them me krenari.

Ne jemi parti e qytetëruar e gjithë Kosovës!

Fushata jonë ishte e qetë ashtu siç ka qenë gjithë politika jonë prej themelimit të partisë në 2007.

Ne jemi parti evropiane!

Fushata jonë nuk ishte arrogante. Fushata jonë nuk ishte e kushtueshme, pnë një kohë kur Kosova është vendi më i varfër i Evropës.

Ne jemi parti e njerëzve të Kosovës

Fushata jonë ishte fushata e mesazheve të ndërtimit,të shpresës që lind nga ndërtimi,i Kosovës së re.

Ne jemi parti krijuesish!

Fushata jonë ishte fushata e durimit. Ne kemi qenë të durueshëm që nga themelimi. Ne nuk kemi patur uri për pushtetin megjithëse mund ta fitonim atë që në 2007. Ne ishim të ndërgjegjshëm se sfidat  e  Kosovës duhet t’i përballte dikush tjetër që vinte nga lufta dhe ne mbështetëm jo ata, por Kosovën.Ne bëmë gjithcka për Kosovën dhe jo për dikënd që është në qeverisje ashtu kështu prej 10 vjetësh.

Tash është rradha jonë!

Tash e tutje, populli i Kosovës nuk duron më të qeveriset keq! 2009-ta do jetë vit i kthesës së madhe. Sëbashku me ju, prej votës suaj ne do të fitojmë komunat kryesore të Kosovës multietnike. Ne do t’i bëjmë ato shembull të qeverisjes për të ardhur në pushtet në 2011.

Ne jemi parti e fitores së sigurt!

Në këtë fazë që ka hyrë Kosova, ata që janë në qeverisje s’kanë ç’ti thonë më Kosovës. Nuk kanë se çfarë t’i kërkojnë më Kosovës dhe kosovarëve. Askush nuk mund të thotë se nuk ju dha shansi i qeverisjes. Ju dha dhe e humbën. U përbaltën me veset e pushtetit.

Ne jemi të pastër dhe sot është dita jonë.

Koalicioni AKR- LDD është forca e parë POLITIKE në Prishtinë për organizim, anëtarësi dhe rezultate. Sikur të gjithë anëtarësia jonë të dalë në votime bashkë me familjarët e vet atëherë ne e fitojmë Prishtinën! Mos e humbni këtë rast.

Dilni të gjithë në votime!

Ne nuk duam pushtetin të vetëm. Ne krijuam aleancë me LDD-në, parti e pasuesve të denjë të Ibrahim Rugovës, babait të pavarësisë sonë. Ne kemi në rradhët tona pjesëtarë të epopesë  së Adem Jasharit, Pajzitëve,Agim Ramadanit, Haradinajve dhe shumë të tjerëve. Ne ftojmë që të na bashkohen në sfidat tona të qeverisjes, më të mirët, nga cilatdo parti qofshin. Nga LDK-ja, nga PDK-ja, nga AAK-ja. Ne nuk jemi xhelozë, ne s’kemi frikë nga konkurenca! Ne nuk kemi lista të zeza apo të bardha për bashkpunimin në të mirë të Kosovës!

Ne jemi parti e lirisë! E njerëzve të lirë!

Në rrugën tonë drejt fitores, dikush është munduar të na ndalë. Me pengesa qesharake. Me bllokime sallash, sheshesh,me grisje posterash, shkëputje të energjisë elektrike,me kërcënime, por askush nuk mund të ndalë energjinë e fitores. Energjinë e të rinjve që kam gjetur kudo nëpër të gjithë Kosovën. Që anëtarësohen përditë në AKR. 

AKR është parti e të rinjve!

Kandidatët tanë në gjithë Kosovën janë të rinj ose miq të të rinjve. Shikoni Vegim Gashin, një pedagog, një ekspert i teknologjive të reja, me pasione prej të riu dhe plot projekte inteligjente për rininë e kryeqytetit. Kryeqytetet janë themeluar mbi bazën e ideve dhe Vegim Gashi ka ide të reja.

Që Prishtina, kryeqyteti i shtetit më të ri në botë, të ringjallet! Që Prishtina të rithemelohet!

Mimoza Kusari ka ide të reja.

Që Gjakova e elitës, e kulturës të rifitojë shkëlqimin!

 

Nexhmedin Spahiu është plot ide për Mitrovicën e së nesërmes! Ajo do të jetë e bashkuar!

Bashkimi i saj vjen vetëm prej projekteve ekonomike! Omer Daku, Rexhep Oruci, Ramadan Basha, Afrim Lokaj e shumë emra të tjerë të ndritshëm do të punojnë për qytetet e rinj të Kosovës së ardhmes!

Unë e di që rinia është me ne, por dua t’ju drejtohem më të rriturve. Ne kosovarët e duam familjen. I respektojmë më të mëdhenjtë në moshë. Dhe zakonisht ne votojmë si na thotë i pari i shtëpisë.

Por unë do ju kisha lutur ju më të rriturit, të paktën për një herë të dëgjoni më të rinjtë. Votoni për atë që do të votojnë bijtë tuaj. Vota juaj nuk do t’ju shkojë dëm. Ajo do të jetë vota e ndryshimit!

Bashkohuni ndryshimit dhe jo vazhdimit në krizë, në lëngatë!

Bashkohuni me ne për hir të bijve tuaj që duan ndryshimin!

Votoni AKR-në!

Mos ju shmangni votimit! Nuk ka detyrë më të shenjtë për atdheun sesa vota sot! Dikur Presidenti amerikan Kenedi i drejtohej popullit me këto fjalë që do të mbeten të paharruara: Mos pyet se çfarë mund të bëjë atdheu për ju, por pyet çfarë mund të bëni ju për atdheun! Po Ju për atdheun çfarë duhet të bëni? Duhet të votoni! Për Kosovën e re!

Të dashur bashkëqytetarët e mi,

Kushdo që nuk ka ndërmend të votojë në 15 nëntor, le të më shohë në sy sot dhe të më dëgjojë. Nuk do flas për vazhdimin, por për ndryshimin.

Ti bacë që unë takova në Prizren dhe më the se ke humbur besimin tek këta politikanë që kemi;

ti vëlla prej UCK-së, që dikush të gënjeu në zgjedhjet e fundit dhe ke mbetur ashtu pa punë dhe pa shpresë;

ti vëlla i ardhur prej mërgatës, që të ka humbur shpresa prej premtimeve të rrejshme;

ti nënë që në 2007 t’u duk boll e ngatërruar të votoje me disa fletë votimi të mëdha dhe me zor mbajte rradhën me votu në të ftohtë,

dëgjomëni vetëm pak: Në zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane, pjesëmarrja ishte më e madhja e 20 vjetëve të fundit. Amerikanët e donin ndryshimin. Jo vazhdimin. Po ju a doni ta ndryshoni Kosovën? A doni të mos ju gënjejnë politikanët e premtimeve të mëdha? Kosova do të vazhdojë me ta, nëse ju nuk votoni. A e dini se të votosh sot është më e lehtë se në 2007? Bëjeni këtë hap atëherë, luftoni për ndryshimin dhe mos rrini duarkryq para  vazhdimit!

A doni të vini një gur në themelet e Kosovës së re që ka vetëm një vit jetë si e pavarur? A doni të vini vulën tuaj në fletët e para të historisë së shtetit të ri të Kosovës? A doni më shumë punësim, shkolla më të mira, rrugë, jetë normale? Nëse nuk votoni, domethënë se doni vazhdimin dhe jo ndryshimin!

 Kujt do ja lemë Kosovën? Një qeveri e zgjedhur me pak vota nuk është legjitime. Nëse askush nuk del në votime, nuk do të kemi qeverisje. Do të kemi anarki. Unë e di që ju nuk e doni anarkinë. Ju doni ndryshimin dhe jo vazhdimin!.

Nëse nuk e doni qeverinë, politikën e saj, ndërrojeni atë. Votoni për më të mirët, pra votoni për ndryshimin, por jo të mos votoni fare, domethënë të lejoni vazhdimin!

Ju lutem si vëlla, si prind, si shok, si mik. Bëjeni tuajën. Mundeni të ftohtin. Hidheni votën. Bota po sheh nga ne. Nga Kosova e re. Më shumë vota, do të thotë  të jemi më krenarë në sytë e botës. Demokracia nuk funksionon dot pa votën e demokratëve. Kosova do të jetë më e fortë me votën tuaj. Votoni ndryshimin, jo vazhdimin.

Mirupafshim në 16 nëntor për të festuar fitoren. Dhe për t’ju përveshur punëve për Kosovën e re që do të jetë kantier i madh i zhvillimit ekonomik!